Sot seanca për Kodin, deputetët vetëm dje u njohën me të
Edhe pse pritej që të zhvillohej ditën e djeshme, seanca e Kuvendit ku do diskutohet Kodi Zgjedhor, është shtyrë për ditën e sotme. Kështu vendosi Konferenca e Kryetarëve e mbledhur dje nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. “Ditën e martë, datë 18 nëntor do të zhvillohet seanca plenare, ku do të diskutohet projektligji “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, - thuhet në njoftimin e Kuvendit. Dy palët kryesore, PS dhe PD, kanë paralajmëruar dhe votimin e këtij Kodi, edhe pse ai po kundërshtohet shumë ashpër.
Ditën e djeshme ishte paralajmëruar dhe një protestë që do përkonte me seancën plenare. Megjithatë, protesta është organizuar dhe mijëra qytetarët janë shprehur në mbështetje të grevës që po organizohet në Kuvend.
Por, kalimi i këtij projekti në Kuvend, pak ditë pasi është aprovuar në Komision, ka ngritur shqetësimin se deputetët nuk janë njohur me të. Këtë shqetësim e ngriti disa ditë më parë dhe deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, gjatë një prononcimi për mediat. Të njëjtin shqetësim kanë ngritur dhe deputetët grevistë në një deklaratë të tyren. “Sot, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, me imponim të shumicës, është vendosur që Kodi Zgjedhor të kalojë për diskutim në datë 18 tetor 2008, në seance plenare. Partitë tona parlamentare, por dhe gjithë deputetet e Kuvendit, janë njohur vetëm sot (dje) me projektin përfundimtar të Kodit Zgjedhor. Përfaqësues të LSI dhe PDK në Konferencën e Kryetarëve kanë kërkuar të zbatohet rregullorja e Kuvendit, përkatësisht neni 69 i saj, kur shprehet qartë procedura që duhet të kalojë çdo projektligj përpara se të kalojë në seancë plenare. Ne kërkuam kohë për të njohur dhe për të studiuar projektligjin dhe për të bërë propozime për amendamente sipas gjykimit tonë. Nuk e kuptojmë nxitimin e PS-PD për të mos i lënë kohë deputetëve të njohin dhe përgatiten për debat për ligjin më të rëndësishëm të Shqipërisë, për ligjin i cili na ka detyruar të mbyllemi në një greve urie me sakrifica të mëdha personale, për ligjin, i cili duhet të garantojë një bazë ligjore të pakontestueshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kërkojmë minimumin e kohës që lejon rregullorja e Kuvendit prej 2 javësh dhe besoj që të gjithë deputetët e meritojnë këtë kohë”, - thuhet në deklaratën e tyre.
Grevistët: Kërkesa jonë, rekomandim i OSBE/ODIHR
Deputetët grevistë reaguan dje me anë të një deklarate në lidhje me mënyrën se si partitë e mëdha po e trajtojnë nismën e tyre.
Sipas tyre, kërkesat që bëjnë janë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe kanë kërkuar që ndërkombëtarët të jenë të qartë në lidhje me këtë çështje.
“Rekomandimi i OSBE pas zgjedhjeve të 2005 thotë shprehimisht: “Kodi i ri Zgjedhor duhet të sigurojë një administrim më pluralist dhe gjithëpërfshirës në administrimin e zgjedhjeve, një administrim që nuk kontrollohet dhe dominohet nga dy partitë kryesore politike”. Ky rekomandim dhe standard i kërkuar nuk duhet injoruar nga askush, shqiptar apo ndërkombëtar. Indiferenca apo presionet për të kaluar një Kod Zgjedhor që injoron këtë rekomandim është e papranueshme dhe e dënueshme”, - thuhet në deklaratën e grevistëve.
Sipas tyre, ndërkombëtarët po e shohin këtë situatë si një test për të parë nëse politika shqiptare do të prodhojë konsensus.
Duke iu rikthyer propozimeve që kanë bërë disa ditë më parë deputetët grevistë për depolitizimin e komisioneve, në deklaratën e tyre theksohet se ky ka qenë dhe një propozim i PS. “Fillimisht, Partia Socialiste ka kërkuar komisione të depolitizuara në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pavarësisht se më vonë ndryshoi qëndrim. Ne kemi propozuar dhe deklaruar publikisht vullnetin tonë për këtë depolitizim të administrimit të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë realizohet konsensusi opozitar dhe zgjidhet kriza parlamentare. Nëse PS-PD reflektojnë dhe gjejnë konsensus për këtë variant, ne mirëpresim zgjidhjen, e cila është standard në gjithë Evropën dhe botën moderne”, - thuhet në deklaratën e tyre, e cila thekson më poshtë idenë se greva do të vijojë. “Greva e urisë në sallën e Kuvendit është mjeti i fundit sensibilizues për nevojën për dialog, të konsensusit të gjerë dhe bashkëpunimit mes forcave politike në vend, dhe sidomos me PS-PD. Greva e urisë nuk është dhe nuk duhet kuptuar në asnjë rrethanë si mjet presioni. Ajo është paqësore, nuk synon realizim të qëllimeve të ngushta partiake, por vetëm realizimin e standardeve evropiane për të garantuar zgjedhje të lira. Ne jemi të gatshëm të dalim nga kjo grevë dhe kontribuojmë për zgjidhje, nëse PS-PD shprehen qartë për përfshirje më të gjerë të faktorëve politikë apo civilë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, dhe nëse Presidenti i Republikës apo OSBE garanton vërtetësi dhe seriozitet të këtyre deklaratave”, - përfundon deklarata e grevistëve.
OSBE: Drafti ka nevojë për akordime
Me anë të një deklarate Prezenca e OSBE në Shqipëri ka bërë një sqarim të prononcimit të kryetarit, Robert Bosch, bërë në mëngjesin e djeshëm për mediat. Sipas tyre, Kodi është një arritje, por ka vend ende për akordime. Në deklaratën e OSBE theksohet se diskutimet për Kodin duhen bërë pa presion dhe se është parlamenti që do japë vendimin për Kodin. “Prezenca e OSBE përsërit sërish se është e mendimit se drafti i Kodit Zgjedhor, i cili është përgatitur nga vetë shqiptarët, është një arritje, por se ai ka ende nevojë për t’u akorduar më mirë. Për këtë arsye, ai duhet të diskutohet në forumin e duhur nga partitë, por pa presion nga ndonjë grupim. Prezenca e OSBE thekson sërish se Kodi, si në çdo demokraci, do të jetë vendim i parlamentit shqiptar”, - thuhet në deklaratën e OSBE.
Withers, takim me Berishën dhe Ramën
Faktori ndërkombëtar po bën lëvizjet e para lidhur me Kodin e ri Zgjedhor dhe po njihet me qëndrimet e të gjitha palëve.
Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka zhvilluar biseda konfidenciale me kryeministrin, Sali Berisha dhe me pas me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Të dy takimet janë vlerësuar si konfidenciale dhe nuk ka njoftime nga institucionet përkatëse për çfarë është biseduar mes ambasadorit amerikan dhe kryetarëve të dy partive më të mëdha politike në vend.