Zbatohet projekti mafioz për blerjen e ARMO-s me paratë e ARMO-s
Fituesit anonimë të tenderit për blerjen e kompanisë ARMO ende nuk kanë paguar asnjë qindarkë për shtetin shqiptar, duke thyer kështu të gjitha ligjet dhe rregullat e një ankandi publik në Shqipëri. Megjithëse afati i fundit ishte 18 gushti dhe më pas 31 tetori, asnjë pará nuk është derdhur në llogaritë e buxhetit të shtetit shqiptar, ndërkohë që “Taçi Oil”, një kompani që de jure nuk ka qenë blerëse e ARMO-s, por de facto ka marrë kontrollin mbi kompaninë dhe ka filluar plaçkitjen e saj.
Mbasi kemi shkruar për parregullsitë skandaloze të tenderit, për performancën tejet të dyshimtë të pjesëmarrësve fitues, për parregullsitë e kontratës e të garancisë së saj, për të cilat përveç publikut, qeveritarët nuk e kanë bërë qejfin qeder, javët e fundit kanë ndodhur ngjarje skandaloze që vërtetojnë edhe një herë gjithçka kemi publikuar.
Nën trysninë e fituesit qeveritar, Taçit, shkarkohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm, Halim Dariu, inxhinier nafte me përvojë dhjetëravjeçare në sektorin e naftës në Shqipëri dhe në vend të tij emërohet nga strukturat shtetërore Drejtor i Përgjithshëm Henri Babe, ekonomist i “Taçi Oil”, pa asnjë përvojë në fushën e naftës apo të bizneseve, por me kurajë të madhe për t’iu shërbyer interesave të klaneve kontrabandiste.
Nën trysninë e Taçit shkarkohen tre drejtore të UPN Fier, njëri prej të cilëve nuk qëndroi në detyrë as 24 orë.
“Taçi Oil”, i cili nuk rezulton zyrtarisht të jetë blerës i ARMO-s, tashmë është zot i çdo prone të saj. Me këtë vërtetohen gjithë akuzat tona se pas blerjes nuk kishte as amerikanë dhe as qipriotë, por thjesht një biznesmen i dyshimtë shqiptar që ka blerë median dhe konsulencën e vajzës së kryeministrit për të plaçkitur një pasuri kombëtare.
Të gjitha këtyre u vë kapakun autorizimi i Ministrisë së Energjitikës për vëzhguesit e shumtë të Taçit, që janë turrur në Ballsh e Fier dhe që nuk pyesin as për rregulla e as për ligje e që sillen sikur vërtet ta kishin blerë ARMO-n apo sikur ta kishin trashëguar nga prindërit e tyre.
Këto veprime janë bërë me dijeni dhe koshiencë të plotë për t’i mundësuar “Taçi Oil” të sigurojë lekët e nevojshme për të vazhduar kushedi dhe sa kohë lojën e kungulleshkës se do t’i paguajë paratë sot e do t’i paguajë nesër, do t’i paguajë kur të miratohet kontrata në Kuvend apo pas shqyrtimit nga Autoriteti i Konkurrencës, për Kurban Bajram apo për Krishtlindje e deri në pafundësi.
Ditët e fundit gazeta ka siguruar një sërë dokumentesh, me të cilat vërtetohet edhe një herë se konsorciumi fantazmë, jo vetëm që nuk ka pará, por ka filluar të vjelë pará nga ARMO për të mbyllur disa nga llogaritë e tij.
Menjëherë me marrjen e detyrës, drejtori i ri, Henri Babe, lidh kontrata shitblerjeje dhe bën shtojca të tyre me shoqërinë “Taçi Oil” dhe bijën e saj, KUID, Elbasan, me justifikimin se jemi në kuadrin e kalimit të pronësisë dhe me kushtin shumë të çuditshëm, atë të prapapagimit mbas 25 ditësh. Që nga momenti i nënshkrimit të këtyre dokumenteve, klientë të shoqërisë ARMO janë vetëm “Taçi Oil” dhe KUID, që shesin të gjitha produktet e ARMO-s e që arkëtojnë paratë e mallit të ARMO-s, por fatkeqësisht paratë nuk shkojnë për ARMO-n, por për “Taçi Oil”.
I vetmi që e kundërshtoi këtë veprim abuziv e të vjedhjes në mes të ditës, drejtori i UPN, Fier, u shkarkua nga detyra dhe në vend të tij u emërua një tjetër që zbaton qorrazi urdhrat e vjedhjes. Njëri drejtor urdhëron shitjen e mallrave me kontratë të rregullt e me parapagim, tjetri mbas 24 orëve urdhëron shitjen me prapapagim pas 25 ditëve. Urdhrat e tyre, të shkruar e të firmosur, njëri më datën 11 nëntor e tjetri më datën 12 nëntor, flasin shumë qartë për gjendjen, në të cilën është katandisur prona shtetërore e administruar tashmë nga “vëzhguesit” e shokut Ruli.
Megjithëse dihet nga të gjithë, bën përshtypje mosreagimi i strukturave shtetërore, gjë që tregon qartë se mbështetja e vëzhguesve dhe tutorëve të tyre është në majën e piramidës së shtetit, atje nga mund të urdhërohen vënia në rresht e të gjitha organizmave. Policët e Shijakut “trajtuan” një të mitur për një vjedhje të vogël, ndërsa policia e Fierit, megjithëse filloi të veprojë pas denoncimeve, u detyrua të heshtë nga urdhrat që vijnë nga Ai.
Të gjitha instancave shtetërore iu janë dërguar zyrtarisht denoncimet e veprimeve të mësipërme dhe askush nuk mund të thotë se “nuk dija gjë”. Ka vetëm dy rrugë, ose të lihen vëzhguesit të veprojnë ashtu siç dinë ata dhe të sigurojnë sa më shumë pará nga malli pronë shtetërore dhe këtë mund ta bëjë vetëm urdhri i Atij, ose të vihen para përgjegjësisë personat përgjegjës, prona shtetërore të vazhdojë të administrohet në bazë të rregullave, dhe pronari i ri të bëhet i gjallë, atëherë kur të likuidojë tërësisht paratë që i ka premtuar shtetit shqiptar.