Në pritje të reformës që nuk vjen kurrë
Ekzaktësisht në kohën më të papërshtatshme për të paraqitur strategji zhvillimi, jo vetëm sepse është viti i fundit i mandatit katërvjeçar, por edhe sepse vendi është përfshirë në probleme që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe që prandaj gjithmonë e më shumë po marrin fytyrë krizash, këshilltari i kryeministrit për arsimin, z. Myqerem Tafaj, u shfaq përsëri në një ekran televiziv, madje edhe pasi kishte dhënë një intervistë të gjatë për t’i thënë qytetarëve të këtij vendi edhe njëherë tjetër një gjë që në thelb askush nuk e beson më, se sistemi i arsimit të lartë është futur në një proces reformimi të thellë dhe se, megjithëse ky reformim është i thellë, paradoksalisht ai është vetëm fillimi. Akoma më tronditëse është se edhe pas tri vitesh qeverisjeje ai e ndërton intervistën në kohën e ardhme, duke qëndruar përsëri në pozicionin absurd të asaj që akoma nuk ndodh, por vetëm pritet të ndodhë. Është një rast tipik, kur një punonjës publik, si shumë të tjerë në këtë vend, nuk ka asnjë qëllim tjetër veç atij të ruajtjes së status quo-së. Veçse në këtë rast kemi të bëjmë me një nivel më të lartë në hierarkinë e djallëzisë njerëzore. I stërvitur mirë, ai nuk e konsideron status quo-në thjesht një gjendje që nuk ndryshon, një gjendje në të cilën nuk ndodh në përgjithësi asgjë dhe asnjëherë. Herëpashere ai i shton diçka asaj, thjesht për të ngacmuar imagjinatën e njerëzve. Por nuk shton një fakt, një ide tashmë të materializuar, një punë të kryer, përkundrazi, mundohet ta ngopë imagjinatën e tyre me mesazhe virtuale, duke përzier të tashmen me të shkuarën, pastaj me të ardhmen, pastaj anasjelltas, duke u munduar që qytetarët e këtij vendi të besojnë te një fiction, te një gjë që s’është ose të paktën nuk është atje ku janë ata, nuk është në kohën në të cilën ata rrojnë. Por le të ndërhyjmë në intervistën e tij në një mënyrë paksa të veçantë, duke bërë korrigjimet e domosdoshme për shndërrimin e saj në një intervistë realiste, me qëllimin e mirë për të artikuluar të vërtetën, ashtu siç është, duke e zhveshur nga ai copëzim haluçinant që këshilltari i kryeministrit i bën kohës, duke i kërkuar falje intervistuesve, sigurisht, për përdorimin e ndonjë pyetjeje të tyre në realizimin e këtij shkrimi.
. . .
Pyetje e gazetarit për këshilltarin: Si i vlerësoni tani pas tre vitesh reformat e ndërmarra në arsimin e lartë dhe si kanë kontribuar ato në të gjithë sistemin?
Në thelb, këshilltari përgjigjet se “tani, pas tri vitesh, mund të themi se reformat e ndërmarra në arsimin e lartë janë reforma të thella, që prekin shumë anë të sistemit dhe mund të them se është vetëm fillimi”. Ai vazhdon: “Në Shqipëri ne kemi zgjedhur modelin e një autonomie të tillë të zgjeruar, ku institucioni i Arsimit të Lartë konkurron për investime dhe kjo do të ndodhë që në 2009. Pra, një universitet nuk merr investime të parashikuara në buxhet, por të gjitha investimet e shtetit do të jenë në një grant, ku IAL do të konkurrojnë me projekte për t’i marrë ato. Ai institucion që paraqet projekte të mira, ai do të përfitojë fonde”.
Pra, për të përshkruar të tashmen këshilltari përdor retorikën. Përpiqet të krijojë një imazh të sistemit ekzistues të arsimit të lartë që është vetëm virtual. Për të ardhmen fillon e flet për gjëra konkrete, për një imazh real që ka vetëm një defekt të “vogël”: i takon një kohe që nuk ka ardhur akoma. Ata që kuptojnë nga këto gjëra, e dinë shumë mirë se e ardhmja, për të cilën flet këshilltari, sot duhet të ishte fakt, po të qe punuar për realizimin e programit qeverisës. Pra, në thelb, këshilltari nuk flet për mosrealizimin e programit, por në vend të kësaj përgatit skenarë për filma fiction që presin të shfaqen. Që në vitin e parë të qeverisjes ekzistuese ekspertët i kërkuan Ministrisë së Arsimit që reformat të fillojnë me ndryshimin rrënjësor të formës së financimit të universiteteve, për dy arsye shumë të thjeshta: e para, për të përfshirë universitarët në jetën universitare dhe e dyta, për të motivuar universitetet në një proces zhvillimi. Modeli i ri i financimit duhet të çonte paranë te “niveli i punës”, pra te profesori apo ekipi i tij ose te departamenti së paku. Në këtë mënyrë mund të zgjidheshin problemet që lindin aty, në vetë nivelin e punës. E gjithë kjo do të krijonte një balancë të re pushtetesh, prandaj do të kërkonte edhe një sistem të ri kontrolli të zbatimit apo realizimit të përgjegjësive. Një balancë e re pushtetesh do të thoshte që edhe kapaciteti vendimmarrës duhet të zbriste deri te niveli i punës, të shoqëronte paranë dhe e gjitha kjo do të bënte të domosdoshme dhënien e një autonomie reale, e nevojshme për të përdorur pushtetin e dhënë dhe “të shpërndarë” në krejt hierarkinë universitare. Në thelb, marrëdhëniet e reja midis organeve dhe autoriteteve akademike, midis vetë universitetit dhe shoqërisë, do të zëvendësonin marrëdhëniet e vjetra të realizimit të misionit universitar nëpërmjet urdhrave, fatkeqësisht ekzistuese edhe sot. Do të kishim institucionalizuar formën demokratike të realizimit të lirisë së njeriut në përgjithësi dhe të lirisë akademike të profesorit në veçanti. Dhe të gjithë e dinë që liria “punon”, të gjithë kanë patur prova për të vërtetuar që ky tranzicion i zgjatur është në thelb një stanjacion, një status quo, një vendnumëro, sepse liria është ndrydhur, me të gjitha format, brutalisht.
Këshilltari i kryeministrit nuk dorëzohet. Në intervistën e tij, për të justifikuar atë që asgjë nuk ka ndodhur në fushën e financimit dhe organizimit universitar, pasi ka thënë se “arsimi i lartë i është nënshtruar reformave shumë të thella!”, thotë që “në Shqipëri kemi një përvojë relativisht të shkurtër në krijimin dhe ruajtjen e këtyre raporteve (midis organeve dhe autoriteteve universitare) dhe nëse këto raporte nuk funksionojnë, atëherë institucioni mund të bjerë në një anarki ose autarki”. Qartësisht kemi të bëjmë me mentalitetin komunist të konservuar për t’u shprehur në ditët tona. “E dinë shokët atje lart”, apo “Uji turbullohet duke zbritur poshtë”, janë dy shprehje ekuivalente të këtij mentaliteti. Ky mentalitet na jep mesazhin sesa larg reformave ka qenë dhe është qeverisja në fushën e arsimit. Sepse akoma besohet që njerëzit atje poshtë nuk janë të ndershëm, nuk janë të aftë. Sepse akoma nuk kuptohet që siguria e një sistemi të ri, para se të jetë një çështje e kompleksitetit të karakterit njerëzor, në pjesën më të madhe dhe mbi të gjitha është zëvendësim i marrëdhënieve të vjetra me ato të reja, në thelb të të cilave duhet të qëndrojë balancimi i pushtetit dhe krijimi i mekanizmave për kontrollin e përdorimit të tij. Dhe nuk mund të ketë fillim tjetër. Më vonë, vetë sistemi në procesin e funksionimit të tij krijon eksperiencën për individët që e vënë atë në lëvizje, ashtu sikundër krijon edhe problemet, zgjidhja e të cilëve i përgatit akoma më shumë njerëzit për vënien në punë të sistemit me një efektivitet të ri, më të lartë se i mëparshmi. Justifikimi i rënies në anarki apo autarki nuk është vetëm mungesë besimi te universitarët, por, para së gjithash, një tjetër djallëzi për të ndërhyrë në universitete dhe keqpërdorur ato.
Këshilltari i kryeministrit, megjithatë, ankohet në këtë pjesë. Ai thotë: “Ne po ndeshemi me një fenomen disi paradoksal. Qeveria rrit fondet e investimeve, por IAL (institucionet e arsimit të lartë), nuk kanë kapacitete thithëse dhe implementuese për to”. Dhe vazhdon: “Nëse autonomia dhe vetëqeverisja e IAL nuk do të kuptohet njëherazi edhe si përgjegjësi për të krijuar kapacitetet që të jenë të afta të realizojnë në kohë të gjitha burimet financiare që u jep qeveria, atëherë nuk është bërë gjë”. Për ç’vetëqeverisje apo autonomi është fjala? Mosthithja e fondeve është pasojë e mungesës së tyre, e përjashtimit të universitarëve nga qeverisja. Le të marrim rastin e fondeve për kërkimin shkencor. Mosthithja e tyre ndodh, sepse ato nuk jepen nga Fondacioni për Shkencën, (strukturë e refuzuar nga qeveria), por nga ministria. Ndodh, sepse marrja e fondeve nuk bëhet përmes një konkurrimi direkt të profesorit dhe ekipit të tij, por ato jepen pa konkurrim dhe vetëm nëpërmjet ministrisë dhe drejtuesve të paaftë të universiteteve. Kjo ndodh, sepse analiza e punës kërkimore, të kryer nga studiuesit, bëhet nga administratorët e universitetit dhe jo nga studiuesit e së njëjtës fushë në vend apo dhe jashtë tij. Vini re: përsëri zgjidhjen e problemit ky këshilltar e sheh te mjetet që do të krijohen nesër dhe që janë refuzuar t’i kishim sot. Mjete që pritet të krijohen dhe probleme që duhet të zgjidhen sot! ǒështë, pra, ky copëzim absurd i kohës?
Pyetje e gazetarit për këshilltarin: Sistemi i Bolonjës është përfshirë në të gjitha universitetet. Sa rezultativ ka qenë ai në Shqipëri? Në thelb, këshilltari përgjigjet se praktikisht ne kemi hyrë plotësisht në sistem, pasi tani fillon zbatimi edhe i ciklit të dytë të studimeve (d.m.th., Masteri).
Nuk është e vërtetë. Në thelb ne kemi dalë nga sistemi i Bolonjës, pra kemi shkruar një ligj për arsimin e lartë që përfundimisht e bën të papërputhshëm sistemin tonë me sistemin evropian të arsimit të lartë, veçanërisht studimet për ciklin e dytë dhe të tretë, jo vetëm nga pikëpamja cilësore, por edhe formalisht. Unë e kam shkruar edhe diku tjetër se që nga viti i Deklaratës së Bolonjës, viti 1999, të gjitha vendet e papërfshira, por që aspironin të bëheshin pjesë e hapësirës evropiane të arsimit të lartë, filluan të zhvisheshin nga forma kualifikimi dhe diploma të panevojshme të arsimit të lartë, trashëgimi e traditës së tyre dhe që nuk përputheshin më me sistemin e Bolonjës. Këtë e bëri Çekia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Italia, Gjermania etj., etj. Shqipëria ka bërë të kundërtën, nuk e thjeshtoi, përkundrazi, e komplikoi strukturën e kualifikimit, duke iu kundërvënë krejt sistemit të Bolonjës. Neni 26 i ligjit të arsimit tregon qartë që arsimi i lartë në Shqipëri nuk organizohet sipas procesit të Bolonjës. Tmerri i vërtetë fillon kur numëron diplomat që lëshohen në ciklin e dytë e të tretë. Në ciklin e dytë lëshohet një diplomë e nivelit të dytë, një diplomë e integruar e nivelit të dytë dhe një diplomë master i nivelit të parë. Në ciklin e tretë lëshohet diploma doktor, diploma specialist, diploma magjistër, dhe pastaj vjen çudia, i kthehemi prapë masterit që i takonte ciklit të dytë, pra jepet një diplomë master i nivelit të dytë, por në ciklin e tretë! Halucinacioni i thyerjes absurde të kohës rishfaqet: këshilltari flet për të shkuarën, por për gjëra që nuk kanë ndodhur. Flet për të shkuarën për gjëra që priten të ndodhin në të ardhmen! Pritet pra, që Shqipëria t’i bashkohet procesit të Bolonjës, vetëm nëse ndryshon ligji i arsimit të lartë në të ardhmen, pra vetëm nëse në këtë ligj përcaktohen studimet me tre cikle dhe brenda çdo cikli vetëm një diplomë e dhënë!
Pyetje e gazetarit për këshilltarin: Si e gjykoni, a duhet rishikuar ligji për arsimin e lartë? Në thelb, ky këshilltar përgjigjet se “nuk ka ndonjë ligj të përsosur, ky ishte ligji më i mirë i mundshëm nga një konsensus midis ekzekutivit dhe komunitetit akademik, që u realizua në 2007. Por është një ligj i përkohshëm, sepse Strategjia e Arsimit të Lartë (2008- 2013), parashikon transformimin... e IAL nga institucione shtetërore në institucione publike... që marrin grante dhe i vetëqeverisin ato”.
Por, së pari, ligji nuk ishte produkt i asnjë konsensusi. Konsensusi për të nuk ka pas kuptim asnjëherë, sepse ai ishte dhe është një ligj që në përmbajtje pothuajse nuk ndryshonte nga ligji paraardhës. Ishte dhe është një ligj i keq, aq sa nuk mund të kishte konsensusin e profesorëve. Së dyti, strategjia e arsimit të lartë (2007-2013) ishte përgatitur përpara ligjit, ishte diskutuar në nivel ministror dhe me profesoratin dhe ajo çka pritej ishte thjesht formulimi i ligjit mbi bazë të parimeve të kësaj strategjie. Kjo nuk u bë. U formulua një ligj që nuk respektoi strategjinë e përgatitur, pra atë që quhet Masterplan. Sot, këshilltari thotë që do të ndryshojmë ligjin, sepse duhet ta përputhim atë me strategjinë e zhvillimit të këtij sektori, kur kjo strategji ekzistonte para vetë ligjit! Thyerje absurde e kohës, përsëri. Aq sa shndërrohet në tallje! Në një reformë që s’vjen kurrë.