Ndihmestrajneri Shpëtim Duro: Problem është vetëm mbrojtja

Ashtu si edhe Oto Baric, ndihmëstrajneri shqiptar Shpëtim Duro ka debutuar në pankinën e kuqezinjve përkrah dyshes kroate. I propozuar nga krerët e FSHF-së, Duro u pranua me kënaqësi në stafin e kombëtares nga Oto Baric, i cili kërkonte një ish-futbollist të kombëtares shqiptare në krah. Pas miqësores me San Marinon, të cilin Shqipëria e fitoi me rezultatin 3-0, Duro u shpreh me nota pozitive për provën e skuadrës dhe optimist për të ardhmen. "Ishte në ndeshje e mirë dhe trajneri Oto Baric arriti të krijojë një ide për lojtarët që do të ketë në dispozicion gjatë punës në Shqipëri", - u shpreh Duro dje pasdite, teksa sapo kishte mbërritur në aeroportin e Rinasit në Tiranë. Ndihmësi i Baricit u shpreh se e rëndësishme ishte që baza e kombëtares ishte në formë mjaft të mirë dhe se kjo e kënaqi edhe Baricin. "Elementi pozitiv ishte që shtylla e ekipit kombëtar ishin në formë të mirë dhe u lidhën mjaft mirë me njëri-tjetrin, - u shpreh Duro. – Pra bëhet fjalë për lojtarë si Tare, Bogdani, Cana, Lala, Skela, Duro, Muka etj". Një nga më të mirët në fushë ka qenë Ervin Skela, i cili ka mahnitur të gjithë me lojën e tij të shkëlqyer. Fantazisti vlonjat është pa skuadër, por ndaj San Marinos shënoi një gol duke bërë edhe veprime të bukura. "Duke qenë se është pa skuadër, menduam se nuk do të paraqitej aq mirë, por në fakt Skela rezultoi të ishte lojtari më i mirë i takimit për skuadrën tonë", - vijoi ndihmësi i Baricit. Ndërsa i pyetur se cila ishte ana negative e Shqipërisë në miqësoren me San Marinon, Duro tha se i vetmi shqetësim kishe reparti i mbrojtjes. "Vetëm në mbrojte skuadra shfaqi disa probleme në momente të caktuara të takimit, megjithëse ne nuk pësuam asnjë gol. Janë gjëra të vogla, por që duhet riparuar, në një kohë që kemi në prag një sfidë zyrtare, sic është ajo me Bjellorusinë në fillim të muajit shtator. Mendoj se janë gjërat që do të rregullohen", - përfundoi zv/trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit.
Fatjon Kodra