E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndiqen penalisht dy të rinj, aksidentuan me makinë tre persona

TIRANË - Një 21- vjeçar nga qyteti i Durrësit do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë, pas aksidentimit me mjetin e tij të një çifti shqiptaro - hungarez.


Sipas policisë së kryeqytetit, Klaudio Tengu duke drejtuar automjetin e tij tip "Benz" me targa DR 7515 C, është përplasur me një motor me targa të Tiranës pranë një qendre tregtare në autostradën Tiranë -Durrës, drejtuar nga shtetasi hungarez Zsolt Nobert Rudol Reti, 38 vjeç, i cili është dëmtuar së bashku me bashkëshorten.


Pas aksidentit të ndodhur të hënën rreth orës 16 e 40 minuta, burimet e policisë pohojnë se dy të aksidentuarit ndodhen në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën.


Po dje ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për Bedri Nesimin , 25 vjeç, banues në Tiranë, pas aksidentimit nga ky i fundit të një këmbësori në rrugën e Durrësit. Sipas policisë, Nesimi duke drejtuar mjetin e tij tip "Fiat", me targa të huaja, ka aksidentuar Dorian Xhanarin, banues në Tiranë, i cili pas dërgimit në spital ka kaluar rrezikun për jetën.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------


Mbytet në pusin e shtëpisë e sëmura mendore


TIRANË - Një grua 48- vjeçare nga Vora është vetëmbytur në pusin e banesës së saj të hënën rreth orës 9 e 20 minuta. Burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit pohojnë se Dije Dedej, është gjetur e mbytur në pusin që gjendej brenda territorit të shtëpisë së saj.


Pas njoftimit që kanë marrë nga familjarët, në vendin ku 48 vjeçarja ka kryer aktin e vetëmbytjes kanë mbërritur efektivat e policisë Komisariatit Nr. 6, të cilët kanë kryer veprimet hetimore lidhur me ngjarjen.


Po sipas policisë, viktima njihej si e sëmurë mendore nga një depresion nervor. Uniformat blu kanë marrë në pyetje të afërmit e 48- vjeçares për të sqaruar arsyet e veprimit të gruas nga Vora.


Nga hetimet paraprake të policisë, rezulton se këtë veprim Dije Dedej e ka kryer në kushtet e një depresioni nervor. Policia e kryeqytetit po punon për sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›