Ndiqet penalisht nusja, zihet me vjehrrën, pret kumbullat
Shprehja popullore "Për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhinë" duket se ka gjetur vend në një fshat malor të Rrethit të Elbasanit. Nusja, për inat të vjehrrës, ka prerë kumbullat dhe dardhat e bahçes. Ngjarja groteske ka ndodhur në fshatin Labinot Mal, rreth 40 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se 38-vjeçarja, Shpresa Muça ka prerë me dashje të 14 rrënjët e kumbullave që kishte mbjellë në bahçe vjehrri i saj, 70-vjeçari Islam Muça. I njëjti burim konfirmon se 38-vjeçarja, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar fajin dhe tashmë ajo po ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të "shkatërrimit të pronës". Gjithçka kishte nisur pas një konflikti me nënën e bashkëshortit. Persona të afërm me familjen Muça pohojnë se vjehrra e kishte fyer nusen, duke i thënë se ishte dembele dhe jetonte vetëm me të ardhurat që i sillte i shoqi në kurbet. Kaq është dashur që nusja "të inatosej" dhe të hakmerrej për fyerjen që kishte pësuar. Shpresa, nënë e dy fëmijëve, është çuar natën, kur të gjithë flinin dhe rreth orës 02:00 ka marrë sëpatën dhe në pak minuta ka rrëzuar përtokë 14 rrënjët e kumbullave dhe dardhave që ndodheshin të bahçen ngjitur me shtëpinë. Tashmë materialet në ngarkim të gruas i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për veprime të mëtejshme.