E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet si polic dhe vjedh emigrantin

Duke u hequr si punonjës policie, ka mundur të vjedhë paratë dhe pasaportën e një 46-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur në një lokal pranë "21 Dhjetorit", ku një emigrant po qëndronte për pak kohë duke pirë kafe. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës njoftuan se në orën 10.00, ka bërë kallëzim Frrok Gj., 46 vjeç, banues në Komunën Kolsh të Lezhës, se rreth orës 09.45, në rrugën "Muhamet Gjollesha", te një lokal, me anë të mashtrimit, një person i paidentifikuar, i prezantuar si punonjës policie, i ka marrë 5 mijë lekë, 25 euro, pasaportën dhe një celular "Nokia". Ai ka shpjeguar për policinë se pas prezantimit si punonjës policie, i ka kërkuar dokumentet që i ka pasur në portofol. Pasi i ka marrë gjithë dokumentet dhe portofolin ku ndodheshin paratë, "polici" është zhdukur me pretekstin se do të bënte disa verifikime. Kjo e ka habitur emigrantin, i cili është drejtuar në Komisariatin e Policisë Nr. 2, duke denoncuar rastin. Policia ka shkuar për verifikim në lokalin ku ishte mashtruar 46-vjeçari, por nuk ka mundur të gjejë mashtruesin, i cili ishte prezantuar si koleg i tyre. Në funksion të zbardhjes së ngjarjes, janë shoqëruar disa të dyshuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›