E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhte me bordero, nën hetim nëpunësi

Shefi i personelit falsifikon dokumente, duke vendosur në bordero emra punonjësish fiktivë, nis procedimi penal. Burime të sigurta nga policia bëjnë të ditur se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për Romeo Arizin, shef personeli në ndërmarrjen e nxjerrjes së naftës Kuçovë. Mësohet se 32-vjeçari nga Kuçova dyshohet se ka falsifikuar dokumente dhe për një periudhë njëvjeçare, ka bërë pagimin për çdo muaj të dy personave, ndonëse ata nuk kanë qenë punonjës të kësaj ndërmarrjeje. Pas verifikimeve të bëra nga ekspertë të krimit ekonomik është konkluduar se në borderonë e pagave të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje kanë rezultuar dy emra "tepër". Këta persona që nuk kanë punuar asnjë ditë në ndërmarrje dhe për 12 muaj rresht ishin paguar rregullisht. Paga e tyre mujore ka qenë 62 mijë lekë dhe mendohet se këto paga janë përfituar nga vetë Arizi. Ndërkaq mësohet se po punohet dhe janë nën hetim persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aferë dhe kanë bashkëpunuar me 32-vjeçarin. Mësohet se 32-vjeçari Arizi po hetohet në gjendje të lirë për akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e mëtejshme të detajeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›