Ndizet hidrocentrali 53 megavat i Ashtës, Berisha: Shqipëria, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon
Inaugurohet HEC-i i Ashtës, kryevepër e zhvillimit të qëndrueshëm. Investimi merr emrin e grave të fuqishme që mbështetën projektin, kryeparlamentaret e Austrisë e të Shqipërisë, zonjat Prammer e Topalli
Kryeministri Berisha, së bashku me kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli dhe kryetaren e parlamentit të Austrisë Barbara Prammer inauguruan përfundimin e hidrocentralit të Ashtës, projekti më i madh energjetik i 30 viteve të fundit që i shtohet sistemit energjetik shqiptar. HEC-i Ashtës, një investim i përbashkët i kompanive të njohura austriake EVN dhe VERBUND me vlerë 200 milionë euro, ka kapacitet rreth 53 megavat dhe do të hedhë në tregun energjetik shqiptar rreth 240 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit, duke siguruar furnizimin me energji për 100 000 familje shqiptare. Ky hidrocentral, i cili përbëhet nga dy centrale elektrike, Ashta 1 dhe Ashta 2, konsiderohet një risi në fushën e ndërtimit të veprave energjetike hidrike: ai është ndërtuar me teknologjinë më të avancuar Matrix, duke përdorur turbinat e vogla, e cila bën të mundur shfrytëzimin mjaft efikas të energjisë ujore.
Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë një ngjarje të rëndësishme për sistemin energjetik shqiptar, por, njëherësh, edhe një hap madhor drejt realizimit të projektit të “Shqipërisë, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon” dhe e “zhvillimit të qëndrueshëm”. Për arritjen e këtij synimi, shfrytëzimi i burimeve ujore të vendit, në vlerësimin e Kryeministrit, mbetet ndër drejtimet kryesore dhe deri tani janë nënshkruar me sipërmarrjen private, 120 kontrata, për ndërtimin e 332 HEC-ve, me kapacitet mbi 1400 megavat dhe vlerë totale 2.4 miliardë euro. Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka, për ta bërë Shqipërinë një nga vendet më miqësore ndaj investimeve, me besimin se zgjidhja për krizën ekonomike në Europë e më gjerë qëndron në mbështetjen e biznesit dhe zgjerimin e lirive ekonomike.
Me rëndësi të veçantë, Kryeministri vlerësoi aplikimin e teknologjisë më të avancuar të prodhimit të energjisë, me përdorimin e turbinave tubolare Matrix, çka e bën hidrocentralin e Ashtës të jetë “një risi në rrafshin mjedisor”.
Ndërsa Kryetarja e Parlamentit austriak, Barbara Prammer duke shprehur kënaqësinë që ndodhej në përurimin e kësaj vepre madhore për Shqipërinë, theksoi se "sot është një festë mes Shqipërisë dhe Austrisë. Ajo që më ka nxitur për këtë vizitë janë lidhjet e forta e të vjetra që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Austrisë". Ndër të tjera kreu i parlamentit austriak Prammer nënvizoi se ekziston një besim i ndërsjellët mes dy vendeve në fushën e ekonomisë dhe energjetikës: “HEC-i i Ashtës është një projekt që flet për një besim të ndërsjelltë, një besim të ekonomisë e të energjisë austriake në ekonominë shqiptare, por edhe një besim të Shqipërisë në seriozitetin e sipërmarrjeve austriake", theksoi Prammer.
Në hapje të takimit, Drejtori Menaxhues i "Energji Ashta" VERBUND, Dietmar Reiner bëri të ditur se ,pas një periudhe të shkurtër ndërtimi, prej pak më shumë se 30 muaj, dhe vetëm katër vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së koncesionit, ne po festojmë përurimin e Hidrocentralit të Ashtës.” Ai tha se ky është investimi më i madh në tregun e energjisë shqiptare në 30 vitet e fundit”. “Sa i përket procedurave dhe rrethinave që kemi gjetur këtu, ne jemi mëse të kënaqur, megjithatë zbatimi i projektit brenda një tregu të ri, ishte një sfidë e jashtëzakonshme të cilës ne iu përgjigjëm me shumë punë dhe angazhim”.
Më pas Drejtor Menaxhues Energji Ashta, EVN, Peter Stelzer, në përshëndetjen e tij citoi se “sfidat e veçanta me të cilat përballet një projekt ndërtimi si hidrocentrali i Ashtës janë ndër të tjera, natyra e tij ndërkombëtare dhe shumëgjuhëshe, ndarja e detyrave nëpër disa vende të ndryshme dhe përpjektjet e mëdha të koordinimit logjistik.” Falë angazhimit profesional të Energji Ashtës, EVN dhe VERBUND dhe atë të gjithë kontraktuesve, këto kërkesa ishin në gjendje që të realizoheshin në një mënyrë shumë të përgjegjshme, tha Stelzer. “Ne jemi veçanërisht krenarë për nivelin e ulët të aksidenteve në sheshet tona të ndërtimit, çka nuk do të kishte qenë e mundur pa kontaktorët tanë dhe stafin e tyre të ndërgjegjshëm”, shtoi ai. Duke iu referuar fenomenit të përmbytjeve që shoqëroi dy dimrat e kaluar zonën e Shkodrës, Peter Stelzer, shtoi se “përmbytjet që goditen Shkodrën në fillim të ndërtimit në vitin 2010, të cilat e zhyten të gjithë zonën dhe ndikuan negativisht në ecurinë e ndërtimit, shërbyen si test serioz për kompaninë tonë. Pas kësaj, ne bëmë çdo gjë për të reduktuar në minimum efektet mbi pronat dhe mbi palën liçensuese, dhe nëse shohim pas jemi mëse të kënaqur me procedurën dhe rezultatet që kemi arritur”. Pas përurimit zyrtar të hidrocentralit, u vu në punë turbina e tij dhe u mbollën pemë dekorative në mjediset e jashtme të veprës energjetike
Pasaporta e investimit energjetik
• Kompania: VERBUND e EVN
• HEC- Ashta 1, 2
• Fuqia: 53 megavat (MË)
• Prodhimi: 240 milionë kilovat/orë në vit
• Furnizimi: 100 mijë familje
• Teknologjia: Hydro Matrix
• Emetim CO2: zero
• Vendodhja: 10 km larg Shkodrës
• Vlera investimit: 200 milion Euro
• Koha e realizimin: 30 muaj
• Koncesion: pas 35 vite i kthehet Shqipërisë
• Kontrata: për 15 vite energjia blihet nga KESH