E Diel, 1 Nëntor 2026

“TAP ka mundësi reale që të përzgjidhet nga konsorciumi i Shah Deniz”

19-09-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit, Ogtay Asadov

Kryeministri Berisha, priti në një takim kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit, Ogtay Asadov. Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, e vlerësoi këtë vizitë një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe dhe inkurajim për të çuar përpara bashkëpunimin, ndërsa zoti Asadov e konsideroi një kontribut drejt një bashkëpunimi më të ngushtë midis dy vendeve. Nga ana e tij zoti Asadov i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për reformat e ndërmarra në Shqipëri gjatë viteve të fundit, të kurorëzuara me anëtarësimin e vendit në NATO dhe ecjen përpara në procesin e integrimit europian. Shqipëria, theksoi zoti Asadov, është një faktor i rëndësishëm që i përket familjes europiane.
Kryeministri Berisha nënvizoi se gjatë muajve që pasuan vizitën e tij në Azerbajxhan  janë bërë përpjekje pozitive për të zhvilluar marrëdhëniet midis dy vendeve, bazuar në ndjenjat e sinqerta midis dy popujve që ruajnë lidhje e shkëmbime të hershme.
Kryeministri Berisha dhe zoti Asadov ndanë të njëjtin mendim se mënyra më e mirë për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve është të inkurajohet bashkëpunimi ekonomik dhe nxitja e investimeve. Në këtë kuadër, bashkëpunimi në fushën e energjisë u vlerësua si një nga fushat me potencial të madh bashkëpunimi në të ardhmen.
Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha u ndal në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), duke e cilësuar atë, një projekt vizionar, varianti më ekonomik dhe me trajektoren më të shkurtër, me një leverdi të madhe për Azerbajxhanin, vendet rajonit e tonë dhe Evropën Perëndimore. Duke nënvizuar se TAP ka mundësi reale që të përzgjidhet nga konsorciumi i Shah Deniz, Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar të përmbushë çdo detyrim të saj, në këtë drejtim. Gjithashtu kreu i Ekzekutivit pohoi, se Shqipëria mbetet e hapur që, në kuadër të ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme të gazifikimit në vendit, të mirëpresë investitorët azerë, që kanë një ekspertizë të madhe në të këtë drejtim.
Më herët  Kryetari i Parlamentit të Azerbajxhanit, zotin Ogtay Asadov, u  prit dhe nga ministri Jashtëm Panariti dhe ministri i METE Haxhinasto. Ministri Panarit i shprehu kënaqësinë për nivelin aktual të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit vuri në dukje se ekziston vullneti i qartë politik për bashkëpunim dhe se  nuk ka asnjë pengesë për të intensifikuar më tej marrëdhëniet dypalëshe.  Nga ana e tij  Asadov theksoi se, vullnetit politik për zhvillimin e marrëdhënieve, duhet t’i përgjigjemi me nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, ku të dy vendet ofrojnë mundësi të mëdha, sidomos në fusha të tilla si energjetika, bujqësia, kultura etj.
Ndërsa zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës,Edmond Haxhinasto u shpreh se Shqipëria mbetet e hapur që në kuadër të ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme të gazifikimit në vend të mirëpresë investitorët nga Azejrbaxhani që kanë një ekspertizë të madhe në këtë drejtim. “Tregu i gazit në vendin tonë ka potenciale të mëdha dhe kompanitë azere janë të mirëpritura në Shqipëri", theksoi Ministri, i cili theksoi nevojën për të eksploruar më tej mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›