Ndoka: “Hapja e dosjeve, detyrim moral ndaj ish-të dënuarve politikë”
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u takua dje me përfaqësues të shoqatave të ish-të dënuarve politikë: Adem Allçi, Besim Ndregjoni, Shik Stërmasi, Kurt Kola dhe Shane Muda. Gjatë këtij takimi u diskutua për tema të rëndësishme që kanë të bëjnë jo vetëm me integrimin e kësaj shtrese, që përbën krenarinë e shoqërisë tonë, por edhe për ato tema që shqetësojnë realisht shoqërinë shqiptare. Kreu i PDK-së gjatë deklaratës për shtyp tha se Shqipëria ende nuk ka një distancim të qartë nga diktatura (edhe pse po bëhen njëzet vjet nga përmbysja e saj), nuk ka një dënim publik dhe ligjor të krimeve të komunizmit. Ndoka theksoi se strukturat e krimit të diktaturës komuniste dhe eksponentë të rëndësishëm të saj u infiltruan në proceset demokratike, duke e penguar dhe dëmtuar rëndë të ardhmen demokratike të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Ai tha se hapja e dosjeve përbën një detyrim moral ndaj ish-të dënuarve politikë. “PDK-ja përfaqëson një elektorat dhe një filozofi politike që iu nënshtrua persekutimit më të egër gjatë viteve të diktaturës. Askush nuk u godit kaq egërsisht dhe kaq pa mëshirë sa eksponentët e kulturës, besimit, filozofisë dhe mendimit politik demokristian. Ne e ndiejmë se edhe gjatë këtyre viteve të tranzicionit, kur Shqipëria është përfshirë në procesin e zhvillimeve demokratike, në procesin e ndërtimit të shtetit të së drejtës, të bazuar mbi ligjin, pronën private, të drejtat dhe liritë e individit, përsëri individë që vijnë nga e shkuara e errët kanë bërë të gjitha përpjekjet për t’u demonstruar shqiptarëve se demokracia është një sistem i korruptuar, një sistem i kriminalizuar, një sistem që nuk sjell zhvillim po degjenerim të vlerave”, - deklaroi kryetari i PDK-së.
Ndoka tha se ish-spiunë, apo eksponentë të lartë të strukturave të diktaturës, kanë ndjekur të njëjtën politikë përjashtuese ndaj shtresës së ish-të përndjekurve politikë dhe ndaj të gjithë atyre politikanëve, intelektualëve dhe individëve që investuan energjitë e tyre për ndërtimin e një demokracie të shëndetshme, të një shteti normal, të një shoqërie që bazohet te vlerat kombëtare dhe europiane.
PDK, duke qenë partia e vetme që drejtohet nga një ish-i përndjekur politik, paraqiti në Kuvend qysh në vitin 2004 një projekt-ligj për dënimin e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Ndoka ritheksoi se Shqipëria ka nevojë për një ligj që të dënojë qartësisht krimet e komunizmit dhe që mundëson një ndarje të prerë dhe të qartë të Shqipërisë me të kaluarën.
15 Korrik 2008