E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: 8 maji t’i japë fund zgjedhjeve të kontestuara

“Asnjë arsye dhe asnjë procedurë teknike apo skenar politik nuk mund të shërbejë si alibi, për të cenuar sadopak vlerën e madhe të këtyre zgjedhjeve”

Bamir Topi deklaroi dje nga Vlora se 8 maji duhet parë si dita kur do të mbyllet kapitulli i debatit dhe kontestimeve ndaj zgjedhjeve. Gjatë një takimi në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, kreu i shtetit insistoi se Shqipëria e vitit 2011 i meriton zgjedhjet me standardet më të larta demokratike. “Sot ju keni përballë disa kandidatë, secili me platformat e veta elektorale, secili me programin dhe premtimet e veta. Përgjegjësia e juaj qytetare dhe kushtetuese është të gjykoni çdonjërin prej tyre, punën dhe ofertën, karrierën dhe besueshmërinë, programin dhe premtimet, - dhe në fund, të dielën e 8 majit t’i kushtoni jo shumë, vetëm pesë minuta kohë institucionit më të fortë të demokracisë, - votës së lirë e të fshehtë”, u shpreh Topi. Ai gjeti rastin të apelojë partitë politike të distancohen qartë dhe menjëherë ndaj çdo akti dhune e retorike kërcënuese, ndaj çdo incidenti provokues dhe dekurajues të ndërmarrë nga kandidatët apo mbështetësit e tyre elektoralë. Topi këmbënguli në faktin se partitë dhe kandidatët nuk janë mbi ligjin, - ato duhet të jenë modeli i zbatimit të ligjit. “Po ashtu u kërkoj organeve të zbatimit të ligjit të hetojnë çdo rast dhe të vendosin përpara drejtësisë cilindo individ, zyrtar apo qytetar tjetër, që abuzon në forma të ndryshme me ligjin. Gjej rastin gjithashtu të përshëndes çdo deklaratë të politikanëve të caktuar apo çdo veprim konkret për ndarjen e fushatës elektorale nga burimet publike dhe zyrtare të funksionimit të shtetit”, theksoi Topi, duke shtuar se zgjedhjet janë lokale, - partitë janë në fushatë, nuk është shteti, nuk është administrata civile. Presidenti konstatoi se nëse hedhim sytë përtej flamujve partiakë, nuk është vështirë të shohim një ngjashmëri të madhe midis premtimeve të kandidatëve dhe palëve politike. “Ka ngjashmëri, sepse vetë problemet për zgjidhje janë të ngjashme”, tha Topi. Kreu i shtetit është i mendimit se asnjë parti apo politikan, kushdo qoftë ai apo ajo, nuk e kanë në dorë fatin tonë, jetën tonë. Ai çmon se çdo qytetar është sovran në të drejtën e tij kushtetuese për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, dhe askush, për më tepër politikanët, nuk mund të cenojnë sadopak këtë të drejtë. “20 vjet kanë treguar se nuk kemi pasur një popull që ka gabuar, por kemi pasur politikanë që kanë gabuar, ndaj zgjedhjet bëhen jo për të testuar apo ndryshuar popullin, por për të testuar apo ndryshuar politikanët që marrin vendime në emër të tij”, u shpreh Topi. Është luks i tepërt dhe energji e madhe e shteruar nëse ne kalojmë muaj e vite duke u grindur për votat, vijoi Topi, aq më tepër kur sistemi ynë zgjedhor ua ka njohur vetë partive politike monopolin mbi votimin, numërimin dhe administrimin zgjedhor. “Ju e keni parë, vetë kandidojnë, vetë hartojnë ligjin, ato vetë votojnë dhe e zhvillojnë fushatën, ato ndajnë vetë financimin, ato monitorojnë zbatimin e ligjit, ato vetë janë subjekte ankimimi”, theksoi Topi. Qytetari i parë i Shqipërisë thotë se dita e zgjedhjeve na jep mundësinë që ata të heshtin, ata që na zhgënjejnë ndonjëherë edhe me veprimet e tyre, por në këtë ditë prevalon, merr vlerë të jashtëzakonshme vendimi i qytetarit, prandaj keni rastin që më datë 8 maj, të gjithë së bashku të shkojmë në votime, sepse është e drejta jonë, është e drejta e çdo individi, që fatin tonë ta kenë pikërisht ata që ne i japim mundësi, ata që ne përfaqësojmë në institucionet demokratike të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›