E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjekësi i Olimpiadës dhe Formulës 1

Valdrin Xhemaj. (Foto: Jetmir Idrizi) Emocionet e lojërave olimpike “Vancouver 2010” mbaruan.
Ndjenjat që përçonin këto lojëra na erdhën përmes incizimeve dhe fotografive të ndryshme.

Ndërsa njëri prej njerëzve “fajtor” që i rrotulloi ato emocione në gjithë botën, por edhe në Kosovë, është edhe Valdrin Xhema, fotograf i agjensionit EPA( European PressPhoto Agency).

Për Valdrinin, kjo është olimpiada e tretë me radhë që ai e përcjell, duke përshirë atë të Torinos, Lojërat Olimpike Verore në Pekin në vitin 2008, si dhe kjo e fundit në Vancouver.

Gjatë Olimpiadës në Vancover ai ishte fotograf i cili ekskluzivisht përcolli disiplinën e Patinazhit të Shpejtë.

Gjithçka nisi në mesin e viteve 2000, kur interesimi për ngjarjet nga Kosova ranë, kështu që atij i ofrohet një shans i mirë ta testojë veten. Këtë edhe e bëri!

“EPA ku unë jam që 10 vjet, që nga viti 2002 -2003 më kanë dhënë rastin të punoj edhe jashtë Kosovës. Së pari në rajon dhe kanë qenë të kënaqur me punë dhe më dhanë rastin të bëj më shumë dhe shkova në Irak dhe Izrael”, thotë Xhemaj.

Zhvillimi i aparateve fotografike por edhe shpejtësisë së internetit kanë mundësuar që mbulimi i ngjarjeve të jetë shumë më i detajizuar, por edhe i menduar në mënyrë më të gjerë sesa në të kaluarën.

“Agjencionet po fillojnë t’i profilizojnë shumë më shumë gazetarët, fotografët, tekstet dhe kameramanët dhe kjo ka pasur ndikim edhe tek unë”, tha Xhemaj.

Duke u ndërlidhur me këtë, Xhemaj shton se po të njëjtit fotografë ishin edhe në Torino, Pekin dhe Vancouver.

“Ky profilizim ka ndikuar edhe tek unë, që të hyj edhe unë në atë grupin e fotografëve të sportit në kohën kur janë krijuar ekipet”, thotë Xhemaj.

Mbulimi i ngjarjeve sportive si ajo e lojërave olimpike, sipas Xhemajt, është eksperiencë por edhe ndikon mirë në zhvillimin e fotografëve.

“Është një shkollë shumë e mirë, është një ngjarje që për mendimin tim i disiplinon fotografët. Duhet gjithmonë të llogaritësh, të planifikosh, të jesh me kohë dhe ta njohësh atë sport që e përcjell. Asgjë nuk guxohet t’i lihet rastit”, thotë Xhemaj.

Konkurrenca sipas tij është shumë e madhe, duke të shtyrë të punosh shumë më shumë dhe thjesht siç shprehet ai “nuk të lejon të flesh, por të jesh aktiv”.

“E ardhmja tash për tash është në sport. Politika tek ne apo edhe Kosova është shumë e vogël dhe ngjarjet që janë këtu nuk janë me shumë interes ose nuk kanë një peshë të madhe për jashtë dhe mënyra e vetme të vazhdohet në këtë profesion tash për tash është në sport”, shprehet ai.

Si fotograf i EPA-s në Kosovës, është normale që ai përcjell ngjarjet që vinë nga vendi. Ndërsa njëra prej serive të fotografive të tij është edhe dasma me tradita shumë të lashta në fshatin Lubinje të Prizrenit derisa një fotografi e tij u botua edhe në një edicion të National Geographic.

“Për kohën sa jam në Kosovë do të vazhdoj t’i përcjell krejt ato që ndodhin këtu, jetën politike, kulturore por si punë kryesore tash për tash e kam në sport”, tha Xhemaj. Valdrini do ta mbulojë edhe sezonin 2010 në Formula 1.

“Është një sport i ri që po e përcjelli. Gjatë vitit të kaluar i kam përcjell tri gara, në Budapest, në Valencia, dhe në Belgjik. Ka qenë një lloj testi për mua. Agjencioni po krijon një ekip të Formula 1 dhe besoj se planet janë që së paku 3 apo 5 vitet e ardhshme të jem në Formula 1”, thotë Xhemaj.

Gjatë këtij viti ai do t’i përcjellë 10 gara. Shumica e tyre në Evropë dhe 3 gara jashtë Evropës, në atë të Brazilit – Sao Paolo, Kanada – Montreal, dhe Abu Dabi. E njëri prej problemeve të tij sigurisht që është pasaporta, gjë që shpreson se do të rregullohet disi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›