E Diel, 1 Nëntor 2026

Galeria Kombëtare e Arteve, një sarkofag që nuk prodhon asgjë

Politikat e dështuara sjellin izolimin kulturor të GKA

Problematika që haset sot në disa institucione kulturore kombëtare është e dukshme, këto kanë të bëjnë më shumë me fonde apo projekte të ndryshme. E ndërkohë që në Galerinë Kombëtare të Arteve problematika që haset është krejt e ndryshme. Tashmë është e qartë se në këtë institucion shumë gjëra lënë për të dëshiruar, dhe ka nevojë për një përmirësim

 të politikave drejtuese që ndiqen në të, dhe aq më shumë duke ditur që është një institucion i kulturës kombëtare. Shumica dërrmuese e aktiviteteve të zhvilluara në Galerinë Kombëtare të Arteve janë shprehje e dominimit politik të drejtuesve, apo kuratorëve përkatës të këtij institucioni. Tashmë ky institucion nuk është më në shërbim të interesave kombëtare, por për shkak të politikave që po ndiqen në të, në shumë raste nuk gjenden të zbatuara ato që duhet të ketë një institucion i përmasave të tilla. Nëse do të flisnim për konkurset që zhvillohen pranë këtij institucioni vetëm disa ditë më parë u zhvillua konkursi për bustin e Fan Nolit, që do të vendoset në Turqi. Në këtë konkurs u vunë re shumë parregullsi, të cilat bënë që shumë artistë të njohur të artit pamor të shpreheshin të pakënaqur për mënyrën se si u zhvillua ai. E ndërkohë edhe konkursi Onufri nuk ka kaluar pa parregullsi, të cilat janë shkak i politikave që ndiqen në këtë institucion. Konkursi Kombëtar Arteve pamore Onufri u shpall për herë të parë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve konkurs kombëtar në vitin 1994. Më pas në vitin 1998 shpallet Konkurs Ndërkombëtar Çmimi i Madh Onufri me VKM  Nr. 702 datë 3.11.1998, që synonte integrimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare të artit pamor siç ka ndodhur konkretisht. Ndërkaq që pas ardhjes si drejtor të Rubenc Shimës fillon bastardimi i tij, duke e kthyer nga konkurs në ekspozitë, një event që ka juri ndërkombëtare dhe me pas duke e kthyer fare konkurs kombëtar. E ndërkaq meqë ky konkurs është shpallur nga organe qeveritare edhe kompetencat për ndryshimin e tij duhet ti kenë po ato. Është e dëmshme për një konkurs të tillë që të ndryshojë në këto përmasa. Shumë artistë të artit pamor shprehen se sot GKA është e izoluar dhe sipas tyre izolimi galerisë është kontributi i politikave që ndiqen në këtë institucion kulturor kombëtar, dhe sipas tyre duke e bërë të pakalueshëm për artistët vendas dhe të huaj. Nga ana tjetër shitja e idesë së Muzeut të Artit është shumë demode, pasi Galeria Kombëtare është themeluar nga shteti shqiptar dhe rikonfirmuar nga shteti demokratik në vitet 1992 dhe ka një emër Galeria Kombëtare e Arteve. Vendosja e emrave Linja Muzeale e Muzeu i Artit janë vetëm fjalë që nuk ndryshon thelbin dhe kuptimin e institucionit. Në status të këtij institucioni kulturor shkruhet Galeria Kombëtare e Arteve që promovon të kaluarën dhe të tashmen në fushën e arteve pamore, ndërkohë që është kthyer në sarkofag që nuk prodhon asgjë, ku asnjë person nuk mund të japë ide apo opinione para apo mbrapa shtypit. Këtë muze nuk e shoqëron asgjë konstruktive, asnjë program, pasi drejtuesit e këtij institucioni nuk kanë ide. Gjithçka që po zhvillohet këto kohë në këtë institucion funksionon siç duket vetëm për interesa të drejtuesve. Prishja e raporteve të hapësirave ekspozuese permanente dhe korrente ka dëmtuar rëndë jetën artistike në fushën e arteve pamore. Teoria e ngushtimit të hapësirave të ekspozimit të arti bashkëkohor po shkon drejt minimizimit. Struktura e Galerisë është krejt origjinale dhe nuk mund ta gjesh në asnjë muze të ngjashëm në botë, ndërkohë që kjo strukturë aprovohet me lehtësinë më të madhe nga MTKRS, pa u thelluar në impaktin që mund të ketë në praktikë. Ajo që shihet sot në këtë institucion është se në një periudhë maj 09 mars 2010, rezultatet janë shumë të limituara. Galeria Kombëtare e Arteve do të fillojë të marri frymë vetëm atëherë, kur të mos jetë pjesë e klaneve që përpiqen të okupojnë hapësirat vizuale shqiptare me qëllim fitimin. Galeria Kombëtare e Arteve do të kthehet në një fole arti vetëm atëherë, kur kriteret do të përbejnë vlerat dhe jo mendësitë e shtrembërta.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›