E Diel, 1 Nëntor 2026

"Zgjedhjet e ardhshme, mundësi shumë e mirë për femrat shqiptare"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes një mesazhi ka uruar dje të gjitha gratë, nënat, motrat dhe vajzat shqiptare, me rastin e festës së tyre, 8 Marsit. "Përfitoj nga kjo ditë feste për të inkurajuar të gjitha gratë shqiptare, që të mos i rreshtin përpjekjet për të arritur të drejtat e tyre legjitime. Emancipimi femëror ka qenë dhe mbetet një proces i gjatë, i cili po ecën me ritme të jashtëzakonshme kudo në botë. Sot gratë kanë pozicione të rëndësishme në pushtet, mund të ndërmarrin çdo lloj karriere që dëshirojnë, e megjithatë barazia gjinore e pranuar formalisht nga të gjithë mbetet ende një sfidë për të cilën duhet të kontribuojmë të gjithë", shprehet Presidenti Topi në mesazhin e tij. Por ai nuk ka munguar që të theksojë fort faktin se të drejtat e grave janë një shenjë emancipimi i shoqërisë dhe natyrisht edhe i integrimit drejt botës moderne dhe të zhvilluar.

"Raporti i gruas me familjen, me shoqërinë, me shtetin dhe instrumentet e tij, nuk është thjesht një çështje ndjeshmërie, por është çështje thelbësore e lirisë dhe demokracisë, emancipimit dhe progresit të të gjithë shoqërisë sonë. Atdheu ynë, edhe në fazën e suksesshme integruese ku kemi arritur, nuk mund, e nuk duhet të privohet nga energjia femërore e pa vënë në lëvizje dhe e pavlerësuar në nivelin e duhur", tha Topi.

Sipas tij, një mundësi e mirë janë zgjedhjet e afërta të përgjithshme dhe është koha që gratë të mbështeten në përfshirjen e tyre aktive në politikë, pasi tashmë po dëshmojnë se e justifikojnë plotësisht besimin që u është dhënë, duke i emëruar në institucione të rëndësishme të pushtetit.

Kreu i shtetit, mes të tjerash, ka shprehur besimin se "energjia dhe kontributi intelektual e jetësor i të gjitha grave mbetet një bazament i rëndësishëm për Shqipërinë tonë të dashur, e cila po i afrohet çdo ditë e më shumë familjes evropiane".

Në këtë ditë të shënuar, Presidenti i vendit u ka përcjellë urimet më të përzemërta të gjitha grave, nënave e motrave për festën e tyre. "Nderim dhe respekt të thellë për kontributin e tyre të gjithanshëm e të vazhdueshëm, një sfidë jo e vogël me të cilën ato përballen në çdo moment të ditës", e ka mbyllur kreu i shtetit mesazhin e tij përshëndetës, mes rastin e kësaj dite të shënuar për të drejtat e grave në të gjithë botën.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›