E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon Merkelin: “Do të ratifikojmë së shpejti MSA-në dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”



Kryeministri Berisha është pritur gjatë ditës së djeshme nga kancelarja gjermane Anxhela Merkel. Gjatë takimit kancelarja Merkel i ka premtuar kreut të qeverisë shqiptare se Gjermania do të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian brenda vitit 2008 dhe shumë shpejt Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjatë vizitës, fillimisht, kryeministri Berisha u prit me ceremoni zyrtare me nderimet më të larta ushtarake nga kancelarja Merkel. Më pas, në nder të kryeministrit Berisha dhe të delegacionit që e shoqëronte u shtrua një drekë që u karakterizua nga tonet miqësore. Kancelarja Anxhela Merkel i shprehu kryeministrit Berisha urimet më të mira për progresin e arritur nga Shqipëria gjatë viteve të fundit në të gjitha fushat, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kancelarja Merkel u shpreh se për të luftuar korrupsionin duhet një kurajë shumë e madhe, kurajë të cilën lidershipi i qeverisë shqiptare kryeministri Berisha e kanë pasur dhe po e tregojnë me vendosmëri të madhe. “Në këtë kuadër, i gjithë rajoni dhe Europa ju janë mirënjohës për progresin që ju keni arritur në luftën kundër korrupsionit, pasi problemi i korrupsionit është një problem më i gjerë sesa vetë Shqipëria”, - është shprehur kancelarja Merkel gjatë takimit me kryeministrin Berisha. Më tej ajo bëri të ditur se marrëdhëniet midis qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, si dhe marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë të shkëlqyera. Zonja Merkel gjithashtu shprehu gatishmëri për t’i intensifikuar më shumë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Kancelarja shprehu vlerësime shumë pozitive për zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare, dhe u shpreh se zhvillimi ekonomik ka arritur rezultate të shkëlqyera. Kryeministri Berisha pasi falënderoi për mikpritjen bëri një ekspoze të reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare në fusha të rëndësishme. Berisha gjithashtu falënderoi kancelaren për mbështetjen që Gjermania po jep për ftesën për anëtarësimin në NATO, për mbylljen sa më shpejt të këtij procesi dhe mbështetjen për integrimin në BE. Me këtë rast, kryeministri Berisha mori premtimin nga kancelarja Merkel se Gjermania do të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian brenda vitit 2008 dhe shumë shpejt Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjithashtu kryeministri i kërkoi përkrahjen dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave dhe qarkullimin e lirë të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian, e cila do të jetë një ndihmë e madhe dhe një hap shumë i rëndësishëm për të afruar shqiptaret me qytetarët e BE-së.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›