E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufizimi i imunitetit, PD-PS fillojnë punën për të ndryshuar Kushtetutën



Eljona Ballhysa
Dy partitë më të mëdha në vend kanë rënë më në fund dakord për të kufizuar imunitetin e deputetëve. Megjithëse është rrëzuar projektligji i paraqitur prej vitesh nga Grupi Parlamentar i PD-së, dy kampet e politikës kanë dhënë konsensusin për të hartuar bashkërisht ndryshimin e radhës në Kushtetutën e vendit. Gjatë një mbledhjeje të zhvilluar mëngjesin e djeshëm, Këshilli për Legjislacionin, i drejtuar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, vendosi që të nisë puna për hartimin e amendamenteve kushtetuese për të realizuar kufizimin e imunitetit të deputetëve.
Vendimi
Në vendimin e bërë publik për mediat, Këshilli për Legjislacionin ka bërë të ditur se “nismat e ndërmarra deri tani në lidhje me çështjet e imuniteteve nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar”. Më tej, Këshilli për Legjislacionin ka theksuar vullnetin e qartë të Kuvendi të Shqipërisë për kufizimin e imunitetit. “Këshilli për Legjislacionin mendon se ky vullnet duhet të konkretizohet në miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat t’u përgjigjen standardeve europiane në trajtimin e çështjes së imuniteteve. Këshilli për Legjislacionin do t’ua përcjellë qëndrimin e tij të gjitha grupeve parlamentare në Konferencën e Kryetarëve, me qëllim që amendamentet kushtetuese të mbështeten nga të gjitha grupet parlamentare”, -shkruhet në njoftimin për shtyp. Këshilli për Legjislacionin vendosi gjithashtu gjatë mbledhjes së djeshme që dy anëtarët e tij, përfaqësuesi i PS-së, Ylli Bufi dhe përfaqësuesi i PD-së, Ilir Rusmali, të hartojnë draft-amendamentet për kufizimin e imuniteteve. Këto amendamente më pas do t’u jepen grupeve parlamentare për nënshkrim, për të vazhduar më tej me procedurat e Rregullores së Kuvendit për rishikimin e Kushtetutës. “Këshilli për Legjislacionin shpreh besimin se, me vullnetin e përbashkët të të gjitha grupeve parlamentare, kjo sfidë do të përfundojë me sukses”, - përfundon njoftimi për shtyp. Megjithatë, në vendimin e Këshillit për Legjislacionin nuk bëhet e ditur nëse kufizimi i imunitetit do të realizohet vetëm për deputetët apo edhe për gjyqtarët. Pikërisht të dyja këto kategori parashikohen në Kushtetutë që janë mbrojtur nga imuniteti.
Ndryshimi
Kushtetuta parashikon në nenin 73 të saj që deputetët janë të mbrojtur nga imuniteti. Kjo do të thotë që Prokuroria e Përgjithshme nuk mundet të hetojë një deputet pa marrë “lejen” nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo procedurë është ndjekur për dy deputetë dhe ministra të qeverisë “Berisha”. Për ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha i cili po hetohet për kontratën e rrugës “Durrës-Kukës” dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili po hetohet për tragjedinë e Gërdecit. Pikërisht për të dy këta persona më parë ka pasur një kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e imunitetit. Kjo kërkesë është shqyrtuar nga Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvend dhe më pas është miratuar heqja e imunitetit nga ligjvënësit. Amendimi i Kushtetutës pritet të sjellë pikërisht ndryshimin e kësaj pike, duke i hapur rrugën Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë lirshëm deputetët, pa pasur nevojë që të kërkojnë “lejen”
e Kuvendit. Megjithatë, ende nuk dihet nëse palët nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës do të parashikojnë dhe kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›