E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nju Jork Tajms”: “Vdekja e Trebickës ka ngjallur frikë dhe pasiguri”

Gazeta me famë botërore i kushton katër faqe aksidentit. Hijet e dyshimit rëndojnë dhe pas ekspertizës amerikane

Gazeta “Nju Jork Tajms” ka publikuar një artikull që lidhet me vdekjen dhe hetimet e deritanishme rreth ngjarjes së bujshme në Shqipëri. Në një shkrim me autor Nikolas Kulish, gazeta prestigjioze konstaton fakte interesante rreth hetimeve, e cilëson vdekjen e Trebickës, dëshmitarit kyç të aferave të armëve dhe Gërdecit, si të papritur. Dyshime dhe njerëz që kanë pak besim tek autoritetet e tyre, nënvizon gazeta. “Çështja për vdekjen e Kosta Trebickës, dëshmitar kyç në një çështje shumë të rëndësishme, është e rrethuar me spekulime. Ai zbuloi prova të rëndësishme në eksportimin e municioneve në drejtim të Afganistanit. Akuzat e tij për trafikun e armëve u pasuan me arrestime në Shqipëri, kur më 15 mars nga shpërthimi në Gërdec humbën jetën 26 persona, mes të cilëve edhe fëmijë. Trebicka, 48 vjeç, u gjet i vdekur muajin e shkuar në një rrugë rurale pranë makinës së tij. Hetimet për vdekjen e tij janë gjithçka, përveçse rutinë”, - thuhet në artikull. Më tej citohet se një hetues amerikan u thërrit nga Prokuroria për ekspertizën e vdekjes së tij, Kevin J. Teter është ekspert në Policinë e Shtetit në Virxhinia. “Pas përfundimit të ekspertizës dhe dërgimit të raportit nga ana e tij, pati shumë debate dhe diskutime në Shqipëri. Media të ndryshme e kanë vënë në dyshim përfundimin e ekspertizës, sipas së cilës Trebicka kishte vdekur si pasojë e një aksidenti automobilistik. A ka vdekur Trebicka në një aksident, apo ka qenë diçka tjetër që e ka shkaktuar vdekjen e tij? Populli në këtë vend të vogël e të varfër europian ka tashmë pak besim tek autoritetet e tij, që pas një diktature të egër u përball me korrupsion të vazhdueshëm.
Dëshmitari
Eksplozioni i fuqishëm vrastar dhe pastaj vdekja e papritur e një dëshmitari të madh ka ngritur pikëpyetje për vende aleate të SHBA-ve, që e kanë mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj për anëtarësimin në NATO. Edhe Bashkimi Europian ka punuar fort për të ndërtuar institucione dhe shoqëri të civilizuar në Shqipëri për t’i hapur rrugë integrimit të saj. Marjana Papa, drejtore e “Transparency International Albania”, ka deklaruar se problemi i korrupsionit sistematik në vend vazhdon të mbetet i pranishëm, pavarësisht hapave pozitivë që janë vërejtur në këtë drejtim. "Vlerësimi i Komisionit Europian ka qenë i qartë, që janë bërë progrese, por shumë, shumë më tepër progres është i nevojshëm të bëhet”, - ka thënë Helmuth Lohan, lider i KE-së, në delegacionin për Shqipërinë. Por vdekja e Trebickës, sipas gazetës, ka dëmtuar shumë besimin në atë sistem të brishtë gjyqësor. “Njerëzit janë nervozë për këtë shkak dhe kanë frikë të dëshmojnë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur me saktësi, por ka shenja se njerëzit po hezitojnë të dëshmojnë sepse hetuesit shqiptarë dhe gjykatat janë të dobëta”, - thotë një anëtar i komunitetit ligjor shqiptar, i cituar nga gazeta. Një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka deklaruar se zoti Trebicka nuk kishte shkuar kurrë në zyrat e këtij institucioni për të bërë me dije ndonjë problem të çfarëdoshëm të sigurisë së jetës së tij lidhur me ngjarjen në fjalë.
Pasojat
Tre persona janë në arrest për hetimet lidhur me trafikun e municioneve dhe shpërthimin që ndodhi. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu u zhvesh nga imuniteti, por nuk është ende i akuzuar për ndonjë krim, gjithmonë për këtë çështje. “Si mund të lihej një dëshmitar kaq shumë i rëndësishëm pa mbrojtje?!” - ka thënë Eduard Shalsi, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe një anëtar i opozitës socialiste. Ai e njihte Trebickën dhe e ka parë dy ditë para vdekjes. “Kemi një detyrim të madh për atë që pati kurajën të deklaronte dhe të dëshmonte”, - thotë më tej. Ai u kishte thënë miqve se kishte frikë për sigurinë e tij, pas dëshmisë që implikoi njerëz me pushtet.

“NYT”: “Trebicka na ftoi të investigonim aferën”

Trebicka furnizoi edhe gazetën “Nju Jork Tajsm” dhe hetuesit amerikanë me fakte për kompaninë amerikane “AEY”, që kishte blerë municione të vjetra kineze dhe më pas i kishte ripaketuar në kuti për të mbuluar origjinën e tyre, për t’ua shitur ushtrisë dhe policisë afgane. Prokurorët federalë në Majami kanë akuzuar drejtuesit e “AEY”-së për shitje ilegale municionesh kineze ushtrisë amerikane, për t’u dërguar më pas në Afganistan. Kompania punësoi z. Trebicka, një biznesmen vendas, për të bërë ripaketimin. Ai u shpreh se kishte dyshuar se paratë e nxjerra nga shitja e municioneve do të shkonin për zyrtarët shqiptarë, duke përfshirë edhe z. Mediu dhe drejtonin e agjencisë për eksportin e armëve shqiptare, Ylli Pinari. Gazeta citon më tej telefonatën e regjistruar nga Trebicka, në të cilën përmendej emri i kreut të qeverisë, Sali Berisha dhe djalit të tij. “Trebicka ishte shprehur se pasi kishte bërë të ditura shqetësimet e tij te ministri i Mbrojtjes, ai kishte humbur kontratën. Ai regjistroi një telefonatë me presidentin e “AEY”-së, Efraim Diveroli, në të cilën ky i fundit shprehej se korrupsioni arrinte deri te kryeministri Sali Berisha dhe djali i tij. Mediat lokale raportuan se ish-truproja i z. Berisha, tashmë në Ministrinë e Brendshme, kishte luajtur një rol kryesor në hetime”, - citon mes të tjerash gazeta. Telefonatat dhe e-mail-et dërguara zëdhënësit të kryeministrit nuk morën përgjigje. Një zyrtar në Ministrinë e Brendshme i referoi të gjitha hetimet te prokurorët lokalë, të cilët refuzuan të komentonin.
Shkrimi mbyllet me një deklaratë të Elsa Ballaurit, e cila duke sjellë në kujtesë kohën e diktaturës, thotë: “Njerëzit nuk e besonin qeverinë gjatë kohës se Enver Hoxhës. Është normale të mos besojmë”.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›