E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen motivet e vrasjes 11 vjet më parë në Kodër Kamzë



TIRANË - Zbardhen motivet e vrasjes se Osman Markut në vitin 1997 në Kodër Kamzë, në Tiranë. Prokuroria e rrethit Gjyqësor në Tiranë bëri të ditur dje se hetuesit e çështjes kanë ngritur dyshime se ngjarja ka për motiv hakmarrjen. Forcat e policisë, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, arrestuan pak ditë më parë shtetasin Agim Sefa, 39 vjeç, banues në fshatin Babrru, Tiranë, si autor të dyshuar në vrasjen e Osman Marku. Kjo çështje, që prej shumë vitesh ishte pa autor, është bërë kohët e fundit objekt rihetimi për strukturat hetimore të Tiranës, të cilat kanë administruar mjaft të dhëna hetimore në funksion të zbardhjes së saj. Hetuesit kanë siguruar edhe disa dëshmi që tregojnë për konflikte të mëparshme mes familjes së viktimës dhe të dyshuarit si autor në krim, konflikte mbi të cilat është ngritur edhe pista hetimore e hakmarrjes.

Vrasja me dashje e mbetur në tentativë, arrestohet 52–vjeçari

TIRANË - Strukturat e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit në Policinë e Qarkut Tiranë, në orët e vona të ditës së martë arrestuan në flagrancë shtetasin Bashkim Kruja, i dyshuar për plagosjen me dashje të shtetasit Edmond Shijaku. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë bënë të ditur dje për gazetën se Bashkim Kruja, 52 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, pas një konflikti të çastit me shtetasin Shijaku, në banesën e këtij të fundit, e kanë qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë të lehta. Në vendin e ngjarjes,në cilësinë e provës materiale në ngarkim të 52-vjeçarit, u sekuestruan dy gëzhoja, të cilat i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se, strukturat e hetimit të Krimit në Policinë e Tiranës po punojnë për kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarje, tashmë i identifikuar.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›