Ndjekje penale, tentoi të fuste celular në burg
Një 49-vjeçar është dërguar për ndjekje penale në prokurori, pasi është kapur nga gardianët e burgut, duke tentuar të fusë një celular për djalin e tij, i cili ndodhej në paraburgim. Burimet policore bënë të ditur se dje, në orën 11:30, gjatë një kontrolli të kryer nga punonjësit e kontrollit të brendshëm në ambientet e Institucionit të Paraburgimit të Vendimeve Penale nr. 302, në rrugën "Mine Peza", është kapur Kujtim Mermali, 49 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë. Atij i është kapur një celular tip "Samsung", që do t‘ia jepte djalit të tij Elton Mermali, i cili aktualisht ndodhet i paraburgosur në këtë institucion. Sipas policisë, celulari ishte fshehur në disa rroba dhe është zbuluar gjatë kontrollit. Ndërkohë, sipas të dhënave nga dosja e Mermalit, i proceduari penalisht ka qenë i dënuar më parë për marrëdhënie seksuale. Burimet policore të burgut thanë se ky nuk është rasti i parë, ku familjarë të të paraburgosurve ose të të dënuarve kapen me sende të jashtëligjshme për qelitë e burgut. Shpeshherë, burgjet kanë ushtruar kontrolle edhe në qelitë e të dënuarve ku kanë kapur sende të jashtëligjshme, që nga armët e ftohta, lëndët narkotike, e deri te celularët. Rasti i fundit që u zbulua nga gardianët e burgut, i përket një gruaja në Kavajë, e cila tentoi të fuste heroinë dhe një thikë në burg. Ajo i kishte fshehur objektet në trup dhe gjatë kontrollit u zbulua dhe u arrestua në flagrancë.