Berat, shtatë vjet burg për trafik droge
Shtatë vjet burg ka dhënë Gjykata e Beratit për poseduesin e një sasie lëndësh narkotike. Dje, në këtë gjykatë, ka përfunduar gjykimi i shtetasit Ferdinant Bardhit, banor i qytetit të Kuçovës. Treshja gjykuese e përbërë prej Nazmi Troka, Berlinda Kondi dhe Agron Vavla, pas 10 seancash gjyqësore, ka dhënë dënimin e formës së prerë ndaj Ferdinant Bardhit, i cili rezultoi fajtor për veprën penale të "posedimit të lëndëve narkotike". Po kjo gjykatë ka deklaruar të pafajshëm dhe ka liruar në sallën e gjyqit dy të akuzuarit e tjerë, Teodor Mërtiri dhe Avenir Lame. Të tre këta persona u arrestuan më 6 tetor të vitit të kaluar ndërsa ndodheshin në banesën e Teodor Mërtirit, në lagjen " 11 Janari" të qytetit të Kuçovës, pasi iu kap një sasi droge.