E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA arreston 42-vjeçarin, plagosi me automatik dy gra pasagjere

Forcat speciale RENEA kanë vënë në pranga një 42-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia për plagosjen e dy pasagjereve në rrethin e Matit. Në prangat e agjentëve ka rënë Petrit Pupla, banues në Shëlli të Matit. Prej katër muajsh ai i fshihej arrestimit nga policia, pasi akuzohej për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.
Ngjarja për të cilën akuzohet 42-vjeçari ka ndodhur në mëngjesin e 27 gushtit, kur në afërsi të fshatit Shëlli ai ka qëlluar me armë ndaj një furgoni, duke plagosur dy pasagjere. Më pas, ka arritur që të largohet duke iu fshehur arrestimit.
Pupla është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të vazhduar procesin gjyqësor.
Operacioni
Prej datës 1 shtator të vitit 2009, Petrit Pulpa ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Shëlli, ai kishte arritur që të largohej. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u arrit që të mësohej vendi ku 42-vjeçari fshihej. Menjëherë u organizua operacioni “Akullnaja” nga forcat RENEA, me qëllim arrestimin e tij. Pulpa fshihej në një banesë të të afërmve të tij në fshatin Vinjoll, të komunës Macukull. Forcat speciale arritën që ta neutralizojnë atë dhe ta vënë në pranga rreth orës 19:00 të ditës së premte. Gjatë operacionit të zhvilluar për kapjen e 42-vjeçarit, nuk pati shkëmbim zjarri.
Ngjarja
Rreth orës 04:00 të mëngjesit të 27 gushtit, Gëzim Meta, drejtues i këtij furgoni dhe dy kushërirat e tij të para, Zaide dhe Ensurita Meta, janë nisur për në drejtim të fshatit Shulli të Komunës Komsi. Sapo mjeti është afruar në vendin e quajtur lapidari i Zinishtit, ndaj tij është gjuajtur me armë. Për pasojë, plumbat kanë prekur dy gratë që udhëtonin në të. Ndërkohë që autori i krimit u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Drejtuesi i mjetit ka kërkuar menjëherë ndihmën e policisë, ndërkohë që është nisur drejt spitalit të qytetit, për t’iu dhënë ndihmën e parë dy grave të plagosura. Sipas burimeve, dy plumba kishte marrë 20-vjecarja, e cila kishte plagë në kofshë dhe në bark, ndërsa 55-vjeçarja ka marrë një plagë të rëndë në pjesën që ndan qafën me nofullën. Pas mjekimit të parë të marrë, ajo u dërgua për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për një mjekim më të specializuar.
Sipas policisë, drejtuesi i mjetit kishte parë se ishte vendosur në shënjestër dhe ishte përpjekur që të devijonte, por plumbat kishin prekur dy kushërirat e tij. Grupi i hetimit gjeti në vendngjarje gëzhojat e dala nga arma e krimit, e cila rezultoi e llojit kallashnikov. Ndërkohë që në furgon u gjetën shenjat e lëna nga pesë plumba që e kishin kapur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›