Ndodh pothuajse gjithmonë kështu, policia injoron denoncimet dhe më pas
Ky është një refren shpesh i dëgjuar tashmë nga familjarë të viktimave: policia injoroi denoncimet tona. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e vrasjes së Fierit dy ditë më parë, kur 65-vjeçari Dhimitër Koçi u ekzekutua nga dhëndrri i vet, Gëzim Nushi, që më pas edhe u vetëvra.
Bashkëshortja e Koçit, Leta Koçi, e cila gjithashtu u qëllua nga ish-dhënrri i vet dhe shpëtoi me fat, duke folur për Panoramën, ka thënë se kishin bërë denoncim në polici para krimit, pasi ishin kërcënuar disa herë nga ish-dhëndrri i tyre. Por, policia nuk e vuri ujin shumë në zjarr, duke injoruar kështu denoncimin e tyre. Dhe, më pas ndodhi ajo që ndodhi.
Kjo që ndodhi edhe me vrasjen e dy vëllezërve në Pukë disa javë më parë, ku policia jo vetëm që nuk i mori parasysh denoncimet e familjes Markaj, por u thoshte atye që ti merrnin në telefon kur ti qëllonin me armë.
Kur jam ankuar te shefi i Rendit në Pukë, më tha: Bëj një filmim që të jenë me armë në krah dhe na i sill ta kem si provë. Edhe pse kam kërkuar sërish mbrojtje në polici, më janë përgjigjur duke thënë: kur të qëllojnë, na merrni në telefon dhe do të reagojmë menjëherë, por unë u përgjigja se kur të qëllojnë do na kenë vrarë e sdo kem mundësinë tju telefonoj, pohoi ditë më parë Bardhok Markaj, vëlla i dy viktimave që humbën jetën në Pukë.