Republikanët bëjnë thirrje për dialog për të dalë nga kriza politike
Aleatët e Partisë Demokratike, republikanët, kanë bërë thirrje dje për dialog mes palëve për të dalë nga kriza politike. Nëpërmjet sekretarit Politik, Arian Madhi, Partia Republikane ka dalë në mbështetje të deklaratës së kreut të OSBE-së, Robert Bosh, i cili tha se dialogu institucional zhvillohet në sallën e Kuvendit. “Partia Republikane vlerëson se ky është një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj opozitës, e cila duhet të zgjedhë dhe respektojë dialogun institucional dhe t’i largohet rrugës së bojkotit e protestave, të cilat po keqpërdoren në funksion të rritjes së konfliktualitetit dhe dëmtimit të imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare”, - është shprehur Madhi. Ai theksoi se maxhoranca nuk do të lejojë kurrsesi marrjen e pushtetit nëpërmjet dhunës nga ana e opozitës. “Ne si maxhorance deklarohemi të vendosur që t’i kundërvihemi çdo skenari të opozitës që do të tentojë për marrjen e pushtetit në mënyrë antidemokratike. Ne i sigurojmë të gjithë shqiptarët dhe i garantojmë ata që do të ecim të sigurt drejt rrugës të anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Europian. Ne dëshirojmë, urojmë dhe shpresojmë për refleksione të opozitës në mënyrë që ajo të vendosë për t’iu rikthyer dialogut në Parlament. Ne besojmë se respektimi dhe ruajtja e parimeve demokratike duhet të jenë të shenjta se vetëm ato janë garancia e shpresës së shqiptarëve për t’u bërë qytetarë të respektuar dhe sa më shpejt anëtarë të familjes europiane”, - është shprehur sekretari Politik i PR-së, Madhi.
5 Dhjetor 2009