Ndoka: Berisha të shkarkojë zv/ministrat Bushati e Gurakuqi
ADI SHKEMBI
Aida Joanidhi dhe Vladimir Beja pritet të jenë dy zv/ministrat e rinj të demokristianëve në kabinetin qeveritar. Burime pranë Partisë Demokristiane thanë dje për gazetën se, dy nënkryetarët e kësaj partie pritet të jenë në dosjen që kreu i PDK-së do të çojë në takimin me kryeministrin Berisha. Gjatë këtij takimi, i cili do të bëhet këtë javë, do të negociohet gjithashtu edhe për pozicionet e dy zv/ministrave në kabinetin qeveritar. Burimet saktësuan se propozimi fillestar i kreut të PDK-së, Ndoka do të jetë që Joanidhi (aktualisht është drejtoreshë në Ministrinë e Shëndetësisë) të emërohet zv/ministre e Integrimit, kurse Vladimir Beja (u shkarkua pak ditë më parë nga posti i drejtorit të kapitenerisë së Durrësit) do të jetë në postin e zv/ministrit të Jashtëm. Ndërkohë bëhet e ditur se kreu i demokristianëve do të jetë i hapur edhe për ndonjë propozim të mundshëm të kreut të qeverisë lidhur me portofolat e zv/ministrave. Gjithsesi dy emrat e rinj që do të zëvendësojnë Zef Bushatin dhe Anton Gurakuqin do të kalojnë fillimisht në kryesinë e Partisë Demokristiane dhe në grupin parlamentar të kësaj partie.
Ndoka
Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, konfirmoi dje në një prononcim për mediat se, do të paraqesë pranë kryeministrit Berisha kërkesën për shkarkimin e dy zv/ministrave Bushati dhe Gurakuqi. "Javën e ardhshme do të kem një takim me kryeministrin Sali Berisha, ku do të kërkoj zëvendësimin e zv/ministrave Bushati dhe Gurakuqi, me dy emra të tjerë, përfaqësues të PDK-së", u shpreh Ndoka. Përsa i përket emrave, që do të propozohen për postet e zv/ministrave të Integrimit dhe të Punëve të Jashtme, Ndoka shtoi se, janë strukturat e PDK-së që do të vendosin për ta, ndërkohë që kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen janë ato profesionale, por dhe kontributi në parti. "Do të kenë një performancë profesionale që të mos bëjmë ato gabime, duke caktuar dy përfaqësues jo të denjë, jo vetëm në aspektin profesional, por dhe në performancat e tyre", vijoi Ndoka. Kongresi i jashtëzakonshëm i 8 majit rikonfirmoi me shumicë votash Ndokën si kryetar të Partisë Demokristiane.
Gurakuqi letër Berishës: Nuk e njohim Ndokën
Gurakuqi i ka dërguar pak ditë më parë një letër kryeministrit Berisha, të cilit i konfirmon mbështetjen e deputetëve të PDK-së. "PDK-ja nuk përfaqësohet në kabinet me Ndokën në postin e ministrit të Shëndetësisë. PDK-ja konfirmon prezencën e dy zv/ministrave në kabinetin e Këshillit të Ministrave Zef Bushati dhe Anton Gurakuqi", thuhet në letër.