E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barazimi me Shqipërinë, askush nuk ble bluzën e Kristiano Ronaldos



Kur Milani humbi kundër Tiranës (2-1) në “Qemal Stafa” për trofeun “Taçi Oil Albania Reads” fanella e brazilianit Ronaldinjo u ble në ankand 13 500 euro nga një biznesmen (emri ende nuk është bërë i njohur). E kundërta, madje shumë trishtueshëm ka ndodhur me fanellën e Kristiano Ronaldos, kapitenit të Portugalisë. Pas barazimit fatal me Shqipërinë askush nuk nga tifozët nuk ka dashur të blejë fanellën e kuqe të yllit në Mançester Junaitid në ankandin e parashikuar pas ndeshjes. Sipas “24 horas”, çmimi fillestar i fanellës së Kristiano Ronaldos ishte 150 euro, por askush nuk dëshironte ta blinte atë, ashtu si dhe librat me autografin e tij. Megjithatë, fanella që veshi Kristiano Ronaldo në ndeshjen kundër Shqipërisë vazhdon të jetë e vlefshme në shitje në një sajt të specializuar. Kriza e shitjeve në ankand vazhdoi edhe për objektet e tjera, përfshirë një top nënshkrimet e futbollistëve të Benfikës, librat e Luis Figos. Në këtë ankand ishte dhe një kravatë e Hulio Iglezias

Federata Portugeze: “Keiroz nuk shkarkohet”

Dy ditë pas barazimit pa gola kundër Shqipërisë, Federata Portugeze e Futbollit dëshmoi besimin te trajneri i Kombëtares, Karlos Keiroz, i cili ishte kritikuar shumë kohët e fundit. Ishte vetë presidenti Madail, që hodhi poshtë zërat për shkarkimin e Keirozit. “Projekti me Karlos Keierozin përfundon deri në fund të Botërorit të vitit 2010. Unë i kam thanë trajnerit, që ne nuk kemi aspak në mëndje shkarkimin e tij, dhe se i kemi të gjitha shanset për të mbërritur në finalet e Botërorit. Qëllimi ynë është në të gjitha rastet i arritshëm”. Gjithsesi, barazimi i zbehtë ndaj Shqipërisë nuk i ka pushuar kritikat në shtypin portugez. Kjo dhe për faktin se Keiroz pasoi një trajner të madh e të suksesshëm si braziliani Luiz Felipe Scolari, menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Europian 2010. Për të përmendur është një fakt, pas barazimit të Shqipërisë së Oto Bariçit me Bullgarinë (0-0, në Sofje për eliminatoret Euro 2008), Hristo Stojçkov pas presionit të jashtëzakonshëm të medias bullgare u detyrua të jepte dorëheqjen.

Ironia e gazetës “The Portugal Neës”: “Little Portugal”

“Little Portugal” (Portugalia e vogël). Ky ishte titulli i gazetës portugeze “The Portugal Neës”, pas barazimit 0-0 të kombëtares portugeze të futbollit kundër Shqipërisë. Pakënaqësia për rezultatet e tre ndeshjeve të fundit të trajnerit Karlos Keiroz: 2 barazime pa gola e një humbje, është rritur në shtetin iberik. “Ishte një Portugali e zbehtë dhe e paimagjinueshme në një barazim zhgënjyes pa gola në shtëpi kundër një Shqipërie me dhjetë veta, çka e vendos skuadrën në kufijtë për të mos kryer udhëtimin drejt Afrikës së Jugut në Kupën e Botës të vitit 2010”, -shkruante gazeta portugeze.
“Pas një barazimi të besueshëm kundër Suedisë në transfertë në fundjavën e kaluar, portugezët kishin shpresuar të shihnin ekipin e tyre kombëtar të shfaqnin disa nga fuqitë e tyre të zjarrta kundër lojtarëve të parëndësishëm nga Shqipëria në takimin e zhvilluar në Braga të mërkurën në mbrëmje (15 tetor)”, - vazhdon kritikat gazeta e lartpërmendur. “Por nuk ia dolën. Edhe pse në formacionin startues ishin përfshirë lojtarë nga Mançester Junaitid, Çelsi, Reali i Madridit e Interit. 11-shi i panjohur nga Shqipëria ia doli të bëjë të tijin, edhe pse u reduktua në 10 veta pas vetëm 40 minutash lojë (Teli doli në minutën e 42-të), duke marrë një rezultatin më të madh të tyre në një ndeshje, që në një farë mënyre mund të konsiderohet si idiote”.
Kritikat nuk kursejnë as yllin e Mançester Junaitid. “Kristiano Ronaldo, kapiten në këtë ndeshje, edhe pse pati mbështetjen e pakufishme e tifozëve të duruar të Bragës, nuk u shpëtoi fishkëllimave, pasi ylli i Mançesterit në mënyrë të pazakonshme nuk ishte produktiv atë natë. Ronaldo, i cili është në prag të votimit për të qenë futbollisti më i mirë në botë për këtë vit, luajti në anën tjetër të krahut ku luan zakonisht, dhe pas sulmuesit të vetmuar të Verder Bremenit, Hugo Almeida, ndërkohë që trajneri i Portugalisë, Karlos Keiroz dështoi të përçante mbrojtjen shqiptarë të vendosur më perfekte faktikisht”.
Portugalia ka pesë pikë pas katër ndeshjesh, po aq sa Shqipëria, dhe detyrimisht i duhet të fitojë takimet e mbetura. Portugalia duhet të presë tani pesë muaj përpara se të rinisin ndeshjet kualifikuese, ku do të presë në shtëpi Suedinë, përpara se të udhëtojë drejt Shqipërisë në muajin qershor, ku shpreson të hakmerret ndaj shqiptarëve.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›