E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, datat kur do të nisin studimet “Master”

Sa do të kushtojë masteri për mësuesi në Universitetin e Tiranës. Studimet me kohë të pjesshme dhe në distancë do të nisin më 10 nëntor

Jonida Tashi

Studimet në masterat njëvjeçarë për mësuesi në të gjitha universitetet e vendit do të nisin në datën 20 tetor dhe do të përfundojnë në datën 30 shtator të vitit 2009. Udhëzimi i ministrit të Arsimit, Fatos Beja, përcakton datat kur do të nisin të gjitha studimet e dyta në universitete. Viti akademik 2008-2009 në institucionet publike të Arsimit të Lartë, në programet e studimit të ciklit të dytë, diploma të nivelit të dytë, do të fillojnë në datën 20 tetor 2008 e të përfundojnë në datën 30 shtator 2009. Kurse për programet e studimit të ciklit të tretë, “Master i nivelit të dytë”, me kohë të plotë, studimet do të nisin në datën 10 nëntor 2008 dhe do të përfundojnë në datën 30 shtator 2009. Beja, gjithashtu, ka vendosur që programet e studimit me kohë të pjesshme dhe në distancë të fillojnë në datën 10 nëntor 2008 dhe të përfundojnë në datën 30 shtator 2009. Brenda datës 10 nëntor 2008, universitetet duhet të njohin studentët me pjesët e statutit që përcaktojnë treguesit e programeve të studimit, rregulloren mësimore të institucionit dhe rregulloren e programit të studimit në të
cilin ata janë regjistruar. Raportet e kohëzgjatjes së veprimtarive të ndryshme mësimore gjatë vitit akademik 2008-2009 përcaktohen nga institucionet publike të Arsimit të Lartë, në funksion të natyrës së programit të studimit dhe afishohen në mjedise të dukshme.
Tarifat
Masteri njëvjeçar në mësuesi, për arsimin e mesëm, në Universitetin e Tiranës do të kushtojë 36 mijë lekë. Po kaq do të kushtojë një vit master në mësuesi për arsimin e mesëm edhe në universitetet e tjera të vendit, me përjashtim të lëndëve: Matematikë, Fizikë, Informatikë ose kombinimet e tyre, masteri i të cilave do të ketë një tarifë më të ulët dhe përkatësisht 32 mijë lekë. Për këtë vit akademik qeveria ka miratuar 11 mastera të nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, për Universitetin e Tiranës. Ndërkohë që masteri në mësuesi mund të ndiqet edhe në universitetet e tjera të vendit në rrethe. Për këto universitete qeveria ka miratuar plot 1050 kuota për master në mësuesi, për ciklin e parë të arsimit bazë në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë, si dhe për arsimin e mesëm, të cilat janë shpërndarë sipas programeve në universitete të ndryshme. Ndërsa në Universitetin e Tiranës, për studimet master në mësuesi, për arsimin e mesëm janë vënë në dispozicion 970 kuota pranimi, të cilat janë shpërndarë në tre fakultete të këtij universiteti. Përkatësisht, masteri në mësuesi, për arsimin e mesëm në Universitetin e Tiranës mund të ndiqet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në Fakultetin Histori-Filologji.
Programet e studimeve master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit.
Nisja
Studimet për master të nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Histori-Filologji dhe në Shkencat e Natyrës të Universitetit të Tiranës, do të nisin në datën 20 tetor 2008 dhe do të përfundojë në datën 30 shtator 2009. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja masterin për gjuhën angleze do ta ndjekin 180 studentë, atë frënge 80 studentë, gjuhën gjermane 80 studentë dhe gjuhën italiane 120 studentë. Në përfundim të këtyre studimeve do të lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” në mësuesi, për arsimin e mesëm për këto gjuhë. Ndërsa Fakulteti Histori-Filologji do të ofrojë program “Master” në lëndët Gjuhë-Letërsi për 120 studentë, Histori për 100 studentë dhe Gjeografi për 100 studentë. Në përfundim të studimeve do të lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” në mësuesi për arsimin e mesëm. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të ketë studime “Master” në lëndët Kimi për 30 studentë, Biologji për 60 studentë, Fizikë për 60 studentë dhe Matematikë për 40 studentë. Në përfundim të studimeve do të lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë” në mësuesi.
Universiteti i Tiranës shpërndan kuotat e vëna në dispozicion në masën jo më pak se 30 për qind për studentët që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70 për qind për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë Universiteti i Tiranës ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët që janë diplomuar në të.
Kriteret
Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, të përcaktuara nga njësitë kryesore të Universitetit të Tiranës, bëhen publike. Në programet e studimit “Master i nivelit të parë” në mësuesi, për arsimin e mesëm, për lëndët Fizikë, Matematikë apo kombinimet e tyre, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët me mesatare të ciklit të parë jo më ulët se nota 8 (tetë) nuk paguajnë tarifën e shkollimit. Në çdo program studimi, në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe nga cikli i dytë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. Kandidatët që u përkasin shtresave sociale, si: të verbër, të shurdhër, invalidë, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve, të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, të të ish-të përndjekurve politikë, që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi “Master i nivelit të parë” në mësuesi në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit.

Kuotat për “Master të nivelit të parë” në mësuesi
Në Universitetin e Tiranës
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja:
Në lëndën Gjuhë angleze 180
Në lëndën Gjuhë frënge 80
Në lëndën Gjuhë gjermane 80
Në lëndën Gjuhë italiane 120
Në Fakultetin Histori-Filologji:
Në lëndën Gjuhë-Letërsi 120
Në lëndën Histori 100
Në lëndën Gjeografi 100
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës:
Në lëndën Biologji 60
Në lëndën Kimi 30
Në lëndën Fizikë 60
Në lëndën Matematikë 40

Në Universitet e rretheve
Emërtimet e programeve të studimit UE USH UV UK UGJ
MNP në mësuesi në Gjuhë-Letërsi 60 60 60 60
MNP në mësuesi në Biologji-Kimi 80 80
MNP në mësuesi në gjuhë italiane 30 30
MNP në mësuesi në gjuhë gjermane 30 30
MNP në mësuesi në gjuhë frënge 30 30
MNP në mësuesi në gjuhë angleze 60 60 50
MNP në mësuesi në Matematikë-Fizikë 30 30 30 30
MNP në mësuesi në Mate-Informatikë 30 30
MNP në mësuesi në Histori-Gjeografi 60 60
Gjithsej 410 350 30 140 120

Tarifat për “Master i nivelit të parë” në mësuesi

Tarifat vjetore të studimit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimit “Master i nivelit të parë”, me kohë të plotë, për vitin akademik 2008-2009 janë:
Në mësuesi, për ciklin e parë të arsimit bazë në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë do të jetë:
Për lëndët Fizikë, Matematikë, Informatikë apo kombinimet e tyre 24 000 lekë
Të gjitha programet e tjera 32 000 lekë
Në mësuesi, për arsimin e mesëm:
Për lëndët Fizikë, Matematikë, Informatikë apo kombinimet e tyre 32 000 lekë
Të gjitha programet e tjera 36 000 lekë

19 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›