G99: Qeveria ka mashtruar qytetarët në Portoromano
Skandali i tokave në Protoromano, ka sjellë reagimin e banorëve të prekur direkt nga afera korruptive, që ka zhvilluar biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç, me tokat e kësaj zone. Banorë e Portoromanos iu bashkuan dje protestës së aktivistëve të G99-ës, duke vendosur sëbashku pankarta proteste, duke denoncuar vjedhjen e pronës, që sekseri serbo-boshnjak ka bërë me ndermjetësimin e qeverisë. Erion Veliaj, kreu i G99-ës, së bashku me aktivistë rinorë të kësaj lëvizjeje, vizituan zonën duke u shoqëruar edhe nga banorë, të cilët kanë paraqitur eksperiencën e tyre në shitjen e tokave me të lirë, të të ashtuquajturit bizensmen, pa ditur se, ato, më pas, do t'i shiteshin shtetit me çmime disa fish më të shtrenjta, me qëllim ngritjen e parkut energjitik. Banorët e zonës shprehën shqetësimin se, jo vetëm që transaksioni me tokën ishte bërë në mënyrë të pandershme dhe jotransparente për ta, por dhe që planet e qeverisë për të ndërtuar vepra energjitike në atë zonë, nuk parashikonin sistemimin e familjeve, që do të preken nga ky vendim. Ndërkohë, Veliaj, në fjalën e tij, është përqendruar në evidentimin e fakteve që lidheshin me këto akte korruptive dhe favorizimin që qeveria i ka bërë Fazlliçit. "Ajo që po kuptojmë sot, si në Tiranë, si në Portoromano, është që ka dy Shqipëri: një Shqipëri, që është ajo e Berishës dhe një e të gjithë shqiptarëve. Shumë prej jush, u ankuan me plot të drejtë, sepse, kjo qeveri u tregoi të gjithë shqiptarëve, se toka ishte e helmuar, se nuk kishte asnjë shans të ndërtohej diçka dhe, një njeri i vetëm, serbi Fazlliç, e dinte që toka do të ishte një tokë milionere", - tha Veliaj gjatë fjalës së tij. Duke marrë shkas edhe nga reagimi i ashpër i partnerëve ndërkombëtarë për këtë çështje, kreu i G99-ës, i ka bërë thirrje qeverisë, që të heqë dorë nga mbrojtja që po i bën këtij biznesmeni, që ka abuzuar me pronat e shqiptarëve dhe t'i hapë rrugë organit të akuzës, që të bëjë punën e tij për të zbardhur të vërtetën. Gjithashtu, ai ka vlerësuar se, tashmë, është koha që të gjithë shqiptarët të bashkohen për t'i dhënë goditjen e fundit kësaj qeverisjeje të mbrapshtë, e cila, sipas tij, punon kundër interesave të qytetarëve të saj dhe në favor të interesave të dyshimta të sekserëve dhe bizneseve fantazmë. "Nuk mund të ketë një Shqipëri pushtetarësh dhe një qytetarësh të vuajtur, që paguajnë një më një detyrimet e tyre. Nuk mund të ketë një Shqipëri të Fazliçit dhe një tonën. Ju ftojmë që të gjithë të jemi bashkë dhe të mos dorëzohemi, sepse kanë ngelur vetëm 6 muaj deri në ndryshimin e qeverisë dhe ne, kemi gjithë shanset që, jo vetëm këtë padrejtësi, por dhe gjithë padrejtësistë e kësaj qeverie, të këtij kryeministri t'i sjellim përpara ligjit dhe drejtësisë", - theksoi Veliaj.