E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: “Hapja e dosjeve, PD-ja hartoi qëllimisht ligjin antikushtetues”



Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, hodhi dje në Kuvend akuza kundër lidershipit të Partisë Demokratike. Sipas tij, PD-ja hartoi qëllimisht një ligj antikushtetues, pasi është kundër hapjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. “Bllokimi i ligjit të dosjeve nuk mund të jetë një lajm i mirë për shqiptarët, të cilët kërkojnë ndarjen me të kaluarëm. Madje, kjo është kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve. Unë kam kërkuar në këtë foltore që PD-ja të tërheqë ligjin e dosjeve dhe të hartojmë një ligj me konsensus dhe në përputhje me Kushtetutën. Por PD-ja nuk donte zbatimin e ligjit, por donte miratimin e një ligji që do të bllokohej. Tashmë është e qartë se nuk është Gjykata Kushtetuese që e bllokoi ligjin e dosjeve dhe as ndërkombëtarët, por është PD-ja dhe lidershipi i saj që hartoi qëllimisht një ligj antikushtetues”, - është shprehur Ndoka. Ai tha se nëpërmjet miratimit të këtij ligji, PD-ja lau duart me ish-të përndjekurit dhe do të dalë sërish në fushatën e ardhshme elektorale që të kërkojë votën e kësaj shtrese të vuajtur duke ia hedhur fajin e bllokimit të ligjit Gjykatës Kushtetuese. “Tashmë është e qartë se nuk do të kemi ligj për hapjen e dosjeve para zgjedhjeve të qershorit. Është e qartë gjithashtu se PD-ja lau duart me këtë ligj dhe do të dalë të kërkojë sërish votat e të përndjekurve. Por ajo që është mëse e qartë është se PD-ja është përgjegjësja kryesore e mosdënimit të krimit të komunizmit për shkak të mbetjeve komuniste brenda saj”, - është shprehur Ndoka.

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›