E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: “Instrumentet e qeverisë që rrezikojnë manipulimin e zgjedhjeve”

Ish-kreu i SHIK-ut: “Vështirë të besosh se Berisha do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Klosi: “Duke patur një mbështetje të ulët popullore, Berisha do të përpiqet të tjetërsojë rezultatin”

Shaban Sulçe

Pavarësisht se kryeministri Berisha ka premtuar në mënyrë të vazhdueshme se ai dhe qeverisja e tij do të angazhohen maksimalisht për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, opozita shfaqet mjaft skeptike në këtë drejtim. Problemit të kartave të identitetit u shtohen edhe një sërë mekanizmash që janë në dorën e qeverisë të cilat mund të përdoren nga kryeministri Berisha për manipulimin e zgjedhjeve. Fatos Klosi, ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, aktualisht anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, shpreh dyshime të forta për rolin e kryeministrit Berisha dhe të qeverisë gjatë procesit zgjedhor. Sipas Klosit, çdo shqiptar e ka të vështirë të besojë se Berisha do të jetë garanti i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në një intervistë për gazetën “Albania”, ai rendit disa prej instrumenteve kryesore, ndër të cilat ndërhyrja e strukturave paralele, korruptimi i komisionerëve, të cilat mund të përdoren nga qeveria për manipulimin e zgjedhjeve.

Z. Klosi, kryeministri Berisha ka premtuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, se qeveria e tij do të angazhohet për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Megjithatë, opozita në tërësi, por LSI-ja në veçanti, forcë ku ju aderoni, është shfaqur skeptike në këtë drejtim ndaj kryeministrit Berisha. A mendoni se Berisha do të jetë garant i zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike?

Nuk besoj se kanë mbetur shumë shqiptarë që besojnë se Berisha mund të jetë garanti i zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Janë shumica e shqiptarëve dëshmimtarë se ç'bëri Berisha në zgjedhjet e majit 1996. Unë jam dëshmitar i përpjekjeve që u bënë në zgjedhjet e qershorit 1997 për të futur në procedurat e zhvillimit të zgjedhjeve disa masa teknike që do të siguronin zgjedhje të lira. Berisha, atëherë President i vendit, pranoi vendosjen e tyre vetëm tri ditë para ditës së zgjedhjeve, pas presionit direkt të Vranickit. Edhe në zgjedhjet e mëvonshme, kur në pushtet ishte e majta, shqetësimi i përgjithshëm ka qenë se ç'do të bënte Berisha për t’i fituar pa të drejtë ato. Në këto zgjedhje, ai është në pushtet dhe ka përgjegjësinë për mbarëvajtjen e tyre dhe unë kam frikën se këtë përgjegjësi ai do ta përmbysë për fitimin e tyre. Në konditat kur kredibiliteti i tij në popull është në nivelet më të ulëta pas 92'-shit, kur pas një qeverisjeje plotësisht të korruptuar dhe antipopullore edhe militantë të përhershëm demokratë kanë deklaruar pakënaqësinë e tyre ndaj Berishës, atij nuk i ka mbetur tjetër veç të shpresojë në tjetërsimin e rezultatit zgjedhor.

Cilët mund të konsiderohen elementët që kërcënojnë zgjedhjet në Shqipëri? Cilat mendoni se do të jenë strukturat dhe mekanizmat që mund të përdoren nga qeveria në zgjedhje në rast se do tentojë manipulimin e procesit zgjedhor?
Berisha nuk ka patur kurrë doreza në ato që ka bërë, kështu që nuk do të kufizohet para asgjëje për ta ruajtur këtë pushtet korruptiv që ka ndërtuar. Unë pak besoj se kartat e identitetit do të bëhen deri në qershor dhe në konditat kur shumë votues janë në emigracion mund të luhet shumë me votimet në emrin e tyre. Uroj që strukturat shtetërore të policisë të mos përdoren, por nuk them dot se nuk do të përdoren struktura paralele dhe gjysmë shtetërore për të trembur votuesit e së majtës, sidomos në zona rurale, për t’ua bërë të vështirë pjesëmarrjen në votime.
Një pistë e mundshme manipulimi mund të jetë dhe përdorimi i parave të shumta që vijnë nga korrupsioni i sotëm për korruptimin e përfaqësuesve të opozitës në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore.

Ka patur akuza për krijimin e policisë elektorale, ku në Policinë e Shtetit janë emëruar në poste drejtuese militantë të njohur të Partisë Demokratike. A mendoni se institucione të tilla si Policia e Shtetit apo SHISH do të bëhen instrumente të proceseve manipulative të zgjedhjeve?
Nuk është kollaj t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Nga njëra anë, unë besoj se kanë kaluar kohët e përdorimit të policisë dhe SHISH-it si instrumente manipulimi, por nga ana tjetër di që Berisha mund të bëjë dhe gjëra të papara. Unë do të doja që policia të bënte detyrën e saj, të ruante qetësinë jashtë dhe larg qendrave të votimit, të dekurajonte të gjithë ata që do të tentonin të bënin çfarëdolloj veprimi pengues apo dëmtues të procesit zgjedhor.

LSI-ja nuk do të ketë përfaqësues në komisionet e numërimit të votave. Si do të ruhen votat e LSI-së nga manipulimet e mundshme?

Nuk është e vërtetë që LSI-ja nuk do të ketë përfaqësuesit e vet në grupet e numërimit pasi anëtarët e këtyre grupeve do të zgjidhen me short dhe ne nuk besojmë se edhe shorti do të jetë kundër nesh. Nga ana tjetër, ne do të kërkojmë që në qendrat e numërimit të merren të gjitha masat teknike të nevojshme për të patur një proces numërimi transparent dhe korrekt. Ndërkohë, mungesën e komisionerëve tanë në qendrat e votimit ne sigurisht që do ta kompensojmë me vëzhguesit tanë, me të rinjtë tanë që do ta përcjellin nga afër të gjithë procesin, me gjithë anëtarësinë tonë që ditën e votimeve do të mobilizojmë dashamirësit e shumtë të LSI-së dhe që do të jenë të gatshëm për mbrojtjen e votës së tyre.
Me gjithë këto, unë dua t’i drejtohem të gjithë shqiptarëve lidhur me këtë problem, me shprehjen e famshme të revolucionarit çek Fuçik: “Njerëz, jini vigjilentë!”.

Mekanizmat e mundshme të renditura sipas Klosit

-Dështimi i procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit

-Në mungesë të kartave, manipulime të mundshme me emrat e votuesve që janë emigrantë

-Struktura paralele apo gjysmë shtetërore që mund të përdoren për trembjen e votuesve që njihen si të majtë, kryesisht në zonat rurale

-Përdorimi i parave të korrupsionit për të korruptuar komisionerët

-Dyshime ndaj Berishës për përdorjen e SHISH-it dhe të Policisë së Shtetit në procesin zgjedhor

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›