Rama: Topalli, një femër që lejon dhunën e Berishës
Bledar Hoti
Kryetari i PS-së, Edi Rama kërkon që në të gjitha strukturat e partisë në rrethe të respektohet parimi i barazisë gjinore. Këtë kërkesë Rama e parashtroi gjatë fjalës, që mbajti në forumin e organizuar nga Fondacioni “Qemal Stafa” dhe FGS-ja me temë “Për ekuilibër gjinor në vendimmarrje”. “Ende nuk jemi aty ku unë dëshiroj dhe ku të gjithë së bashku duam të jemi. Ende kemi zona të tëra të Shqipërisë për integrimin e grave dhe vajzave në strukturat elementare të organizimit të partisë”, deklaroi Rama. Një temë tjetër që kryesocialisti preku, ka qenë ajo për dhunën në familje. Ai ka sulmuar ashpër kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila po lejon dhunën që Kryeministri ushtron ndaj deputetëve me fyerje e sharje të familjeve. “E ndërkohë, në kohën kur me dhunën në familje, bëhet tregti politike, dhuna në familje bën kërdinë në kurrizin e grave dhe vajzave dhe sot e gjithë ditën, asnjë dhe askush e mbi të gjitha qeveria Sali Berishës, dhe vetë bajraktari ynë i bollëkut dhe i pisllëkut që ka mbuluar Shqipërinë, nuk mund të thonë cilin ligj, cilat struktura, cilat masa dhe cilat rezultate kanë në përballimin e kësaj dhune dhe jo vetëm nuk mund ta thonë, por me atë në krye, së bashku me shërbëtoren Jozefinë, janë promotorët e ushtrimit të dhunës nëpërmjet mikrofonave të Kuvendit të Shqipërisë, ku kulmi i burrnisë asht më i poshtnue nanën dhe motrën, deputetit opozitar të radhës”, deklaroi Rama. Ai theksuar më pas se “dhe të bëjmë gjithçka që të rrisim prezencën e nënave dhe të motrave në Parlamentin e Shqipërisë, që të rrisim përfaqësimin e nënave dhe të motrave në të gjitha forumet vendimmarrëse, nga salla e një Kuvendi që është brima e fundit në kavallin e botës demokratike, përsa i takon pranisë së grave dhe ku gratë janë të detyruara të sillen si më të këqijtë e burrave për të mos u ndjerë keq”. Rama ka kërkuar forcimin e ligjeve, por ka kontestuar propozimin e disa ditëve më parë që të sanksionohet me ligj, që nëse nuk plotësohet kriteri, atëherë subjekti politik gjobitet me 1/10 e fondit të fushatës elektorale. PS është e vetmja parti politike që e ka plotësuar, që në forumet e larta drejtuese ka një përfaqësim 50 me 50 % të burrave dhe grave. Por Rama kërkoi që kjo të shtrihet në të gjitha nivelet drejtuese të PS-së, në zonat e rretheve, pasi sipas tij, përfaqësimi nuk është aty ku duhet, duke mos e realizuar premtimin për barazi gjinore.