Ndoka: Koalicioni me PS-në më 8 maj, ja zonat që kërkojmë
Aleatët e opozitës i kërkojnë PS-së zona të lira në ato njësi vendore ku dhe kanë një mbështetje më të madhe. Kriter për të përcaktuar mbështetjen e tyre në njësi të veçanta duhet të jenë për pjesën kryesore rezultatet e zgjedhjeve të shkuara lokale dhe më konkretisht përfaqësuesit e tyre si drejtues njësish të veçanta dhe përfaqësimi me këshilltarë. Sipas Nard Ndokës, i cili e ka vendosur tashmë që do të jetë në një koalicion me PS-në në këto zgjedhje, PDK duhet të ketë mbështetjen e socialistëve në ato njësi ku dhe sot drejton ose ka një mbështetje të konsiderueshme, duke lënë të kuptohen zonat veriperëndimore. “Forca e PDK-së është kryesisht në ato zona ku dhe opozita ka pas probleme me rezultatet e veta, nuk ka qenë mazhorancë prej shumë vitesh për disa arsye. PDK do t’i japë vetë opozitës një numër të caktuar komunash dhe bashkish të fituara, pra do rrisë forcën e opozitës në këto zona, ndaj nuk besoj se do të ketë pengesë për kompromisin që do të synohet me PS-në”, - tha Ndoka. I të njëjtit mendim duket se është edhe kreu i PBDNj-së, Vangjel Dule, i cili nuk ngurron ta konsiderojë forcën e vet si forcë të tretë në vend.