Zgjedhjet, PD e Shkodrës propozon Lorenc Lukën për kryetar bashkie
Në fundjavë, Kryesia e PD-së, dega Shkodër ka dërguar zyrtarisht në kryesinë e vogël të kësaj force politike në Tiranë, emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie e komune.
Shkodër- Kryesia e PD-së, dega Shkodër, në mbledhjen e saj të së shtunës, ka dërguar zyrtarisht në kryesinë e vogël të kësaj force politike, në Tiranë, emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie e komune. Burime nga mbledhja e zhvilluar, pa praninë e mediave, bëjnë të ditur se kryesia e degës së Shkodrës ka bërë renditjen e të gjitha kandidaturave të propozuara nga seksionet, që janë 17 të tilla. Më i votuari ka rezultuar të jetë kreu aktual i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, i cili ka marrë pëlqimin e 52 strukturave të PD, ndërsa menjëherë pas tij, me 24 vota, është renditur drejtori i ALUIZN-it në Shkodër, Agron Akshia, një ndër figurat kryesore të PD-së në Shkodër, që nga krijimi i saj. I treti është renditur nënkryetari i bashkisë dhe sekretar i PD-së së Shkodrës Ahmet Omi. Ndër propozimet e dërguara në Tiranë nga kryesia e PD në Shkodër, për kreun e kësaj bashkie, bie në sy fakti se nuk ka asnjë femër, që strukturat e kësaj force politike ta kenë propozuar për kandidat për kreun e bashkisë. Mësohet se drejt Tiranës janë nisur dhe propozimet për kandidatët për krerë komunash e bashkish të tjera, ku të gjithë krerët aktualë të këtyre njësive të qeverisjes vendore, që drejtohen nga PD-ja, janë ripropozuar. Gjithashtu edhe kryetarët e seksioneve përkatëse janë në listat e të propozuarve për të dalë kandidatë në zgjedhjet vendore të 8 majit. Ndërsa në listat për anëtarë të këshillave të bashkive e komunave, vërehet dhe një afrim i personave nga shoqëria civile. E ndërsa PD-ja e Shkodrës i ka gati emrat kandidatë për kryetar bashkie, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për degën e PS-së së këtij qyteti. Nga ana e selisë rozë, nuk ka ende propozime konkrete për kandidatët për kryetarë bashkie e komune. Jo zyrtarisht për Bashkinë e Shkodrës, kandidaturat e përfolura nga kjo forcë politike për të garuar janë Keti Bazhdari, Genc Uruçi dhe mjeku Gëzim Galiqi.