E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Zgjedhjet lokale s’e zgjidhin krizën

Jo të gjithë në kampin e majtë janë dakord me filozofinë e socialistëve se zgjedhjet vendore duhen trajtuar si një sfidë politike për të zgjidhur krizën. Njëri prej tyre është edhe kreu i socialdemokratëve, i cili shpreh hapur pakënaqësinë e tij ndaj këtij slogani që është parashtruar nga PS-ja në deklaratat e saj. Sipas tij, zgjedhjet vendore pavarësisht çdo rezultati nuk mund të konsiderohen si një moment që mund të zgjidhin një krizë politike. “Për ne po përgatitet një tallje e radhës, një farsë e radhës, sepse duhet të vetëm që të kalohet radha, që të kalojnë mirë dhe të jenë rehat disa misione këtu, siç është OSBE-ja, që Shqipëria të bëjë zgjedhje, por prapë s’i kapi standardet dhe që prapë duhet të rrijë te dera e Europës. Pra, zgjedhjet lokale nuk mund të zgjidhin krizën politike, nuk njihet asnjë rast në histori që me zgjedhje lokale të zgjidhësh krizën politike, aq më keq pastaj kur zgjedhjet janë shumë më keq të përgatitura se më 2007 apo se më 2009”, - tha Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›