Ndoka: ”Kongresi farsë, ishin vetëm 17 delegatë të ligjshëm”
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka reaguar ashpër ditën e djeshme në lidhje me kongresin që zhvilluan kundërshtarët e tij brenda partisë. Ndoka tha se ai kongres ishte farsë, pasi në të merrnin pjesë vetëm 17 delegatë të ligjshëm. Kryetari demokristian i cilësoi si aventureske përpjekjet e kundërshtarëve të tij për ta rrëzuar nga partia. “I ashtuquajturi kongres i PDK-së ishte konkluzioni i asaj farse teatrale të luajtur për disa ditë me radhë nga një aktor i dështuar dhe një person që vuan nga deliri i madhështisë. Prova më e mirë për të gjithë këtë është fakti se në këtë të ashtuquajturin kongres farsë merrnin pjesë vetëm 17 delegatë. Pjesa tjetër e sallës ishin disa njerëz të punësuar për 2 orë dhe të paguar për këtë angazhim. Kjo panoramë bën të qartë përfundimisht misionin e dështuar të këtyre aventurierëve, të cilët në realitet të vetmin qëllim kishin shkatërrimin e PDK-së”, - tha Ndoka. Duke folur më tej Ndoka tha se në datën 8 maj do të mbahet edhe kongresi i ligjshëm i PDK-së. Ministri i Shëndetësisë në kabinetin “Berisha” u bëri thirrje kundërshtarëve të tij të heqin dorë nga tentativat që Ndoka i ka cilësuar si të dështuara. “Ndërkohë, drejtuesit e Partisë Demokristiane, Kryesia dhe Grupi Parlamentar i saj, i ftojnë të 17 delegatët, të cilët u përdorën për ambicie dhe teka të individëve të caktuar, të reflektojnë dhe të jenë të pranishëm në kongresin legjitim të PDK-së. Ftojmë z. Gurakuqi dhe disa individë të tjerë rreth tij të ulen me këmbë në tokë e të mos vijojnë më tej të keqpërdoren. Për të gjithë është e qartë se Partia Demokristiane jo vetëm është një faktor real në jetën politike të vendit, e provuar kjo edhe me rezultatet në progresion pozitiv në ballafaqimet elektorale, por edhe një nga forcat kryesore në përkrahjen e reformave të thella të kërkuara nga BE-ja”, - tha Ndoka. Nga ana tjetër, Anton Gurakuqi, zëvendësministri i Jashtëm, i bëri thirrje Ndokës që të heqë dorë nga drejtimi i PDK-së. Ai tha se të pranishëm në këtë kongres ishin dy të tretat e delegatëve më të cilët mund të merreshin vendimet, si shkarkimi i kryetarit Ndoka. “Një ndër objektivat e këtij kongresi është për të rikthyer legjitimitetin në PDK, përmirësimi i linjës së PDK-së si parti e qendrës së djathtë. Zgjidhjet që duhet të ofrojmë në këtë kongres duhet të jenë reale, me një moral të ri, pasi kohët e fundit liria e mendimit u deformua me denigrimin e figurave qendrore të PDK-së nga Nard Ndoka”, - tha Gurakuqi.
E. Kapri
7 Maj 2008