E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishte në kërkim për vjedhje, ndalohet 18-vjeçari



Tiranë – Ishte në kërkim për vjedhje, policia e arreston. Burime të sigurta thanë se nga sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit është kryer ndalimi të kërkuarit Elison Isufaj, 18 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria kishte lëshuar urdhrin e ekzekutimit sepse Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendim të formës së prerë të datës 14 nëntor 2007, e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale të “vjedhjes”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.

Procedim penal për lundërtarin që rrezikoi mbytjen në ujërat greke

VLORË -Prokuroria ka nisur të martën çështjen penale në ngarkim të 33-vjeçarit Arben Belaj, i cili rrezikoi të mbytej dy ditë më parë me gomonen e tij në ujërat greke teksa ishte duke peshkuar.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur dje për gazetën se 33-vjeçari Belaj do të përballet me drejtësinë, pasi nuk kishte deklaruar mjetin e tij dhe nuk kishte njoftuar autoritetet portuale për daljen në det. Belaj e kishte blerë 3 muaj më parë gomonen me gjatësi 4.5 metra e pajisur me një motor 15 kuaj/fuqi, por që e mbante të fshehur. Mbrëmjen e së dielës, ai u shpëtua në ujërat detare të Greqisë, gjatë një operacioni të përbashkët të mjeteve të Policisë Kufitare, “Guardia di Finanza” dhe Rojës Bregdetare Greke. Në fakt Belaj kishte dalë mëngjesin e asaj dite të peshkonte, por në lundrim e sipër i mbaroi karburanti, gjë që i rrezikoi jo vetëm jetën, por tani e përball me ligjin.

Kakavijë, në 48 orë kanë hyrë 3500 emigrantë shqiptarë

KAKAVIJË - Fluksi i emigrantëve shqiptarë, të cilët hyjnë nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, është rritur ndjeshëm gjatë 48 orëve të fundit. Burime nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit thanë dje për gazetën se gjatë 48 orëve të fundit kanë hyrë 3500 emigrantë shqiptarë, 754 automjete, si dhe 15 autobusë. Sipas po të njëjtave burime, punonjësit e policisë kufitare janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë që mund të paraqitet në ditët në vazhdim. Aktualisht, në pikën kufitare të Kakavijës janë çelur dy sportele dhe në varësi të fluksit të emigrantëve ato mendohet të shtohen. Në kufirin Shqipëri-Greqi, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut te Gjirokastrës, funksionojnë dy pika kufitare, ajo e Kakavijës në Gjirokastër dhe Tre Urat në Përmet.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›