Serbët hajdutë përdorin Kosovën për të vjedhur atlete
Skena vjedhjesh në Beograd
Plaçkiten qindra dyqane në Beograd gjatë protestës "paqësore" për principet e larta të sovranitetit
Ndërsa grupe protestuesish sulmonin ambasat e huaja, grupe të tjera përfituan nga situata për të plaçkitur dyqanët e vetë serbëve, të enjten në Beograd. 200 persona u arrestuan, 150 u plagosën dhe mbi 90 dyqane u plaçkitën të enjten. Vjedhje masive ndodhën në qendër të kryeqytetit serb ndërsa turmat manifestuan dy ditë më parë me parullën “Kosova është Serbi”. Gazeta kroate “Veçernji List” arriti të siguronte një filmim video që tregonte dy vajza serbe duke u zënë me njëra-tjetrën në një qendër tregtare për një palë atlete sportive të markës “Puma”. “Duam Kosovën, por më shumë akoma duam atletet”, ishte titulli tallës i gazetës që vazhdonte talljen e tij duke ftuar lexuesit në internet që “të shikojmë sesi vajzat serbe mbrojnë të drejtën ndërkombëtare duke u zënë dhe duke pyetur, “ej, a gjete numërin tënd?”. Tallja e gazetës kroate shkon deri në fund duke theksuar se “ato as nuk e patën problem që atletet që vodhën janë prodhuar pikërisht në vendet që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur”. BE dhe SHBA “i tërheqin veshin” Beogradit Zyrtarë të Bashkimit Europian i bënë thirrje dje Serbisë të mbrojë ambasadat e huaja nga sulmet e protestuesve të inatosur nga Perëndimi, duke paralajmëruar se dhuna mund të dëmtojë mardhëniet BE-Serbi. Ata dënuan ashpër sulmet ndaj amabasadës amerikane dhe disa vendeve të tjera, gjatë protestave të së enjtes duke thënë se ngjarje të tilla janë të papranueshme. “Ne e respektojmë të drejtën demokratike të popullit serb për të shprehur mendimin e tij mbi zhvillimet në Kosovë, por përdorimi i dhunës është i papranueshëm”-tha komisioneri europian i zgjerimit Olli Rehn. Nga ana tjetër shefi i diplomacisë europiane Havjer Solana tha se dhuna mund të ketë impakt në mardhëniet mes BE-së dhe Serbisë, e cila kërkon anëtarësim në bllok. “Ambasadat duhet të mbrohen dhe ky është obligim i Serbisë”-tha Solana. Sipas tij ngjarjet në Beograd ishin tërësisht të papranueshme. Solana shprehu gjithashtu pakënaqësi mbi qëndrimin e anëtarëve të qeverisë serbe lidhur me ngjarjet. Mbi 300 vetë hynë në ambasadën amerikane të enjten dhe i vendosën zjarrin ndërtesës. Si pasojë e rrëmujës 1 person mbeti i vdekur dhe 90 të tjerë u plagosën. Protestuesit shfrytëzuan mungesën e veprimit nga policia për të shkatërruar e plaçkitur ndërtesën, ndërsa dogjën dhe flamurin amerikan. Menjëherë Washingtoni përpiloi një ankesë zyrtare, ku nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns i bëri thirrje kryeministrit serb Voisllav Koshtunica dhe ministrit të jashtëm Vuk Jeremiç të dënojnë zyrtarisht protestën. Menjëherë qeveria serbe u distancua nga dhuna duke theksuar se ato ishin thjesht veprime të izoluara nga grupe huliganësh që nuk përfaqësojnë kombin serb. Ambasada amerikane urdhëroi dje evakuimin e të gjithë anëtarëve të stafit të vet pas protestave të dhunshme. Zëdhënësi i ambasadës, Rian Harris tha për AFP-në se punonjësit janë urdhëruar të largohen nga Beogradi, pasi Washingtoni nuk ka besim tek autoritetet serbe, për mbrojtjen e stafit të ambasadës. Në momentet kur protestuesit sulmuan ambasadën, nuk kishte asnjë polic serb, që të mbronte ndërtesën, përveç stafit amerikan të sigurisë. Policia ndërhyri shumë më vonë, duke qëlluar me gaz lotsjellës kundër turrmës. Dhunën në kryeqytetin serb e dënoi edhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në Nju Jork, 15 anëtarët e përkohshëm të Këshillit lëshuan një deklaratë të përbashkët ku thuhej se ata dënojnë dhunën.