E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: ”Ndryshimet në qeveri, duhet analizë e thellë”



Ministri i Shëndetësisë, njëkohësisht kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka komentuar ditën e djeshme mbi mundësinë e ndryshimeve të mundshme në qeveri. Ndoka u shpreh se koalicioni qeverisës ka një ecuri të mirë në reforma dhe kjo u vërtetua me hyrjen në NATO të Shqipërisë. Sipas Ndokës, ftesa nuk do të ishte e mundur në rast se reformat do të kishin ngecur dhe për realizimin e tyre qeveria aktuale ka një meritë të madhe. Ndoka gjithashtu ka folur edhe mbi ndryshime që edhe kryeministri Sali Berisha i ka paralajmëruar. Ministri i Shëndetësisë duket se është në një mendim me kryeministrin e tij, Berisha, përsa u përket ndryshimeve. Kryetari i PDK-së është i një mendimi me kryeministrin në lidhje me analizën që i duhet bërë kabinetit. “Në lidhje me ndryshimet në qeveri duhet të bëhet një analizë e thellë”, - u shpreh Ndoka. Ministri i Shëndetësisë përshëndeti edhe anëtarësimin e vendit në NATO. “Shqipërisë i është hapur rruga për të ndërtuar një shtet demokratik dhe të së drejtës. Anëtarësimi në NATO do të jetë sfida më e madhe që tranzicioni shqiptar ka përballuar ndonjëherë, por ne demokristianët do të japim kontributin tonë si forcë politike në mënyrë që dëshira e shqiptarëve të plotësohet përfundimisht”, - është shprehur ai.

7 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›