E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët zbarkojnë në zonën e shpërthimit në Gërdec

Ekspertët do të realizojnë dhe eksperimente për hetimin. Tri javë pas ngjarjes Prokuroria s’ka përjashtuar asnjë nga pistat e hetimit

Laureta Rryçi

Tiranë - Ekspertë të Prokurorisë dhe Forcave të Armatosura kanë zbarkuar dje në zonën e shpërthimit në Gërdec. Burime pranë institucionit të Akuzës pohuan për gazetën “Albania” se pas gjithë këtyre ditëve hetimi kanë arritur në përfundimin se mungojnë provat që i siguron vetëm vendi i ngjarjes. Ekspertët mësohet se kanë shkuar dje për të vërtetuar dhe shkakun e shpërthimit dhe për të arritur në një konkluzion nëse kishte municione të tjera përveç predhave. Mësohet se nuk do të përjashtohet mundësia dhe duke improvizuar ndonjë eksperiment për të mësuar më tepër detaje mbi shpërthimin. Sakaq, numri i pistave të hetimit vazhdon të mbetet i pandryshueshëm, me gjithë provat dhe dëshmitë që janë grumbulluar deri sot.
Provat
Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme shpjeguan se hetimi ka mbërritur në një fazë ku kërkohen më shumë prova nga vendi i ngjarjes. Specialistët e angazhuar në këtë procedurë të rëndësishme hetimore po mbledhin të dhëna për të hedhur dritë rreth momentit të shpërthimit më 15 mars në fabrikën që demontonte municione luftarake në Gërdec. Sipas këtyre burimeve, specialistët po realizojnë edhe një sërë eksperimentesh (improvizime) me lëndët plasëse dhe municionet luftarake, për të dalë më pas në një konkluzion rreth shkakut të shpërthimit. Ndërkohë që po shqyrtohen edhe dëshmitë e marra nga të mbijetuarit, punëtorë në fabrikën e Gërdecit.
Pistat
Pas tri javësh hetim, Prokuroria nuk ka përjashtuar ende asnjë pistë hetimi nga ato që pati ngritur në fillim. Ndonëse është vënë një grup i posaçëm për të hetuar mbi tragjedinë, sërish volumi i punës i ka penguar prokurorët të arrijnë në disa konkluzione paraprake. Burimet u shprehën të rezervuara për të dhënë detaje të tjera rreth procedurave hetimore për zbardhjen e këtij momenti, por sqaruan se nga hetimi nuk përjashtohet asnjë pistë. Pas ngjarjes në Gërdec, grupi hetimor ngriti dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar si nga ndonjë gabim i mundshëm njerëzor, ashtu edhe nga eksplodimi i ndonjë predhe luftarake me moshë të vjetër. Po ashtu, janë ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë edhe ndonjë akt i qëllimshëm.

Arrestimet

Ndërkohë, në dhomat e paraburgimit ndodhen të izoluar drejtuesit e subjekteve që administronin fabrikën në Gërdec, administratori i firmës “AlbDemil”, Mihal Delijorgji, drejtori Teknik i kësaj firme, Dritan Minxholi, si dhe ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO” për tregtinë e municioneve luftarake, Ylli Pinari, të cilët akuzohen për “shkelje të rregullave të sigurisë për lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Tre personat e mësipërm u arrestuan pas shpërthimit të fuqishëm më 15 mars 2008 në fabrikën që demontonte municione luftarake në Gërdec, shpërthim që shkaktoi disa viktima dhe plagosi shumë të tjerë si dhe dëme të shumta materiale në zonën përreth.

S’ka akuzë

Zyrtarisht ende nuk ka akuzë ndaj tre të arrestuarve: Ylli Pinarit, ish-drejtor i MEICO-s, Mihal Delijorgjit, administrator i firmës “AlbDemil” dhe Dritan Minxollit, ish-drejtor i fabrikës së çmontimit të municioneve luftarake në Gërdec. Arrestimi i tyre u krye pas shpërthimit të 15 marsit, nga i cili gjetën vdekjen 25 veta, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale. Tragjedia e Gërdecit duket se do të angazhojë një trupë të tërë prokurorësh, të cilët do të hetojnë për të gjetur personat përgjegjës të tragjedisë së rëndë. Grupi i prokurorëve do të marrë në dorë dosjen dhe, pasi të hetojë rreth ngjarjes, do të vendosë dhe për fatin e të arrestuarve si dhe personave të tjerë të dyshuar për implikime në aferat korruptive. Janë pyetur për ngjarjen gjeneralët e Ushtrisë dhe krerët e Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Bashkuar të Ushtrisë. Për të zbardhur tragjedinë më të madhe të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri do të hetohet në shumë pista.

Raporti

Ministria e Brendshme pak ditë më parë njoftoi se në zonat e prekura nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec të Bashkisë Vorë vazhdon puna për pastrimin e tyre. Në zonën e emergjencës po operojnë gjithsej 429 efektiva (forca kërkimi 50, forca sigurie 69 (30 forca të Policisë së Shtetit) dhe forca mbështetëse 311). Bashkë me këto forca po operojnë edhe 24 danezë të DCA-së dhe 13 xhenierë të TMK-së, si dhe 68 mjete, ku në këtë numër kanë operuar 4 mjete të TMK-së, 3 të Policisë së Shtetit dhe 1 mjet danez. Operacionet janë përqendruar në kërkimin e një personi i deklaruar të humbur nga familjarët, por ende nuk është gjetur ndonjë trup viktime. Ndërkohë vazhdon krehja e zonës për gjetjen dhe grumbullimin e predhave, për kontrollin e banesave, për certifikimin e tyre, për shtrimin e rrugëve me çakull. Lidhur me gjetjen dhe grumbullimin e predhave, u rikontrollua një sipërfaqe prej 51 ha, u pastruan 20 ha, u grumbulluan 106 copë predha të paplasura, 220 copë djegore, 300 copë kapsolla dhe gëzhoja, 5 kg barut në qese, si dhe u kontrolluan dhe u certifikuan 55 shtëpi. U transportuan 60 m3 çakull për shtrim rruge dhe u ruluan 600 m2 rrugë.

Pyetja e Trebickës

Grupi hetimor, i ngritur në Prokurorinë e Përgjithshme për zbardhjen e ngjarjes në Gërdec, mori më 3 prill në pyetje nënkontraktorin e firmës “AEY”, Kosta Trebicka. Kjo ishte hera e dytë që biznesmeni merrej në pyetje nga organi i Akuzës, pasi herën e parë ai iu përgjigj hetuesve të Prokurorisë së Tiranës, e cila e mori në dorë hetimin e çështjes deri kur shprehu jokompetencën për vazhdimin e saj dhe ia dorëzoi dosjen Prokurorisë së Përgjithshme. Pas kësaj kryeprokurorja Ina Rama caktoi edhe grupin e ri të hetimit të çështjes, i cili drejtohet nga prokurori Zamir Shtylla. Kosta Trebicka u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka dëshmuar ndër të tjera edhe për tregtinë e municioneve luftarake. Burimet u shprehën të rezervuara për dhënien e të tjera detajeve rreth dëshmisë së Trebickës, por konfirmuan se thirrja e tij në prokurori është bërë në funksion të hetimeve që po realizohen për zbardhjen e kësaj çështjeje.

Përbërja e grupit hetimor

Zamir Shtylla, drejtor i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale do të kryesojë grupin hetimor

Nga Prokuroria e Përgjithshme:
Kujtim Luli
Arqile Koca
Alfred Progonati

Të komanduar nga Prokuroria e Tiranës:
Arben Dollapi
Sokol Stojani

Oficerë të Policisë Gjyqësore dhe të Ministrisë së Brendshme

1. Arjan Muça, drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Rendit

2. Ardian Çipa, shef i Sektorit të Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

3. Perlat Vatoci, oficer i Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

4. Bledar Çeliku, oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

5. Tefik Sulejmani, oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut Tiranë

6. Ermal Milori, oficer i Policisë Gjyqësore, seksioni i Prokurorisë Tiranë

7. Arjan Muçaj, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda

8. Ibrahim Hoxha, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda.

9. Arben Frashëri, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda

10. Hamza Plaka, oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda

7 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›