E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i dytë i Berzanit

TIRANË - Ish-drejtori i Përgjithshme i Rrugëve, Ilirian Berzani dhe dy vartësit e tij u përballën dje zyrtarisht me procesin penal në ngarkim të tyre për akuzën e shpërdorimit të detyrës. E ndërsa Gentian Karruli dhe Mimoza Manastirliu (Prushi) përballen për herë të parë me një proces gjyqësor, për ish-kreun e rrugëve kjo është hera e dytë në gjykatë, ku në maj të këtij viti u dënua me dy vjet heqje lirie për “shkelje të barazisë në tenderë” dhe “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Mësohet se bashkë me Berzanin, i cili ndodhet aktualisht në qeli, në këtë proces gjykohen edhe dy ish-vartësit e tij. Bëhet fjalë për Gentian Karrulin, ish-jurist i njësisë së prokurimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Mimoza Prushit, ish-kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë kësaj drejtorie, të cilët akuzohen nga Prokuroria e Tiranës për “shpërdorim detyre”. Burime pranë Gjykatës së Tiranës bëjnë me dije se seanca e parë ndaj tre ish-zyrtarëve të Rrugëve ishte parashikuar të zhvillohej rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, por ajo dështoi për mosparaqitje të palëve. Pak muaj më parë, njësia e përbashkët antikorrupsion “Task Force” në Prokurorinë e Tiranës, pas përfundimit të procesit të parë ndaj ish-zëvendësministrit të Transporteve, Nikolin Jakës, Ilirian Berzanit dhe zyrtarëve të tjerë të këtyre institucioneve, nisi menjëherë një tjetër procedim penal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve. Prokuroria tha se si prova për fillimin e çështjes së dytë penale ndaj Ilirian Berzanit kanë shërbyer interceptimet telefonike të hetimit të parë, i cili u finalizua me operacionin e koduar “Duart e pastra”. Sipas prokurorisë, gjatë përgjimeve rezultoi se Berzani në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve i ka kërkuar drejtuesit të një subjekti privat të tërhiqet nga tenderi për sinjalistikën e rrugës Lushnjë-Berat. Si shkëmbim, ai i ka premtuar dhënien e dy tenderëve të tjerë, pasi tenderi i sinjalistikës mësohet se i ishte premtuar një tjetër subjekti privat. Kaq mjaftoi, që prokuroria të ngrejë një tjetër akuzë për ish-drejtorin, i cili është zyrtari që ka marrë masën më të madhe të dënimit nga Gjykata e Tiranës, krahasuar me të akuzuarit e tjerë që u arrestuan në kuadër të operacionit “Duart e pastra”.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›