Spahiu: Gjyqtarët,jo mësimdhënës
• TIRANE – “Këtu fillon turi i radhës i maratonës në drejtësi. Gjykata e Tiranës mbart ngarkesën më të madhe të punës. Këtu fillon përballja e gjyqësorit me publikun.Standardet e gjykatës së Tiranës mbartin impakt te publiku”. Kështu e nisi fjalën e vet nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, dje gjatë analizës njëvjeçare të punës së gjykatave që kontrollon distrikti i Apelit të Tiranës. Duke iu drejtuar gjyqtarëve kryeqytetas, Spahiu tha se me sistemin e karrierës u hermetizua Gjykata e Tiranës. “Sa e justifikon kjo gjykatë këtë status? - tha ai duke shtuar se të gjithë gjyqtarët shqiptarë e kanë ëndërr të punojnë në Gjykatën e Tiranës, por kjo, sipas tij, është tabu dhe e vështirë. Numri dy i KLD-së pohoi se Këshilli ka konstatuar se 35 gjyqtarë të kryeqytetit janë përfshirë në mësimdhënie. Ndërsa disa kolegë të tjerë të tyre vijnë nga rrethet 3-4 herë në javë për të dhënë mësim në kryeqytet. “Gjyqtarët ‘part-time’ kanë ekzistuar para vitit 1990, tashmë nuk ka më. Në mbledhjen e parë do specifikojmë që dashurinë, zellin dhe përkushtimin për mësimdhënien këta gjyqtarë ta shprehin në vendimet e tyre. Le të gjejnë kohë në fundjavë për t’u përfshirë në jetën akademike”, pohoi Spahiu. Sipas tij, kjo vjen në sinkron të plotë me inspektimet për vlerësimin e gjyqtarëve. Pas vlerësimit të gjyqtarëve në Gjykatat e Durrësit dhe Elbasanit, Tirana pritet të jetë inspektimi i radhës nga KLD-ja. Në fund Spahiu tha se gjyqtarët që do rezultojnë të paaftë nga vlerësimet, do të largohen nga detyra. Numri dy i KLD-së përmendi dje gjatë fjalës së tij edhe konfliktet që kanë lindur brenda trupave gjykues, të cilat janë më të theksuara në Tiranë dhe që kanë mbërritur në konflikte deri te kryetari i gjykatës. fa.ma.