Tiranë, sherri në lokal, gardisti plagos me armën e punës dy persona
• TIRANE- Oficeri i Gardës së Republikës plagos aksidentalisht dy persona në një lokal.Policia arreston oficerin e Gardës me akuzën e “prishjes së rendit e qetësisë publike”, “kundërshtim të punonjësve të policisë në detyrë”, si dhe të “plagosjes së lehtë nga pakujdesia”. Mariglen Kondi, 26 vjeç, banues në Tiranë, specialist komunikimi pranë Gardës së Republikës, është arrestuar nga Komisariati i Policisë nr.4 në kryeqytet, pasi tri netë më parë ka plagosur në ambientet e një lokali, pranë Shkollës së Bashkuar, Aleksandër Veshkën dhe Artan Ramën. Sipas burimeve të policisë, oficeri i Gardës, ka qenë me disa persona të tjerë në ambientet e një lokali pranë Shkollës së Bashkuar kur ka qëlluar disa herë në ajër. Të njëjtat burime, pohuan se Kondi, 26 vjeç, ka qenë në gjendje të dehur, kur ka qëlluar me armë në ajër, për shkak të një grindjeje banale në lokal. Gardisti ka qëlluar së paku 4 herë me armën e tij personale të markës “TT”. Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur Artan Rama dhe Aleksandër Veshka, të cilët pas ngjarjes janë dërguar në spitalin “Nënë Tereza”. Plagët e marra prej dy të plagosurve kanë qenë të lehta, pasi plumbat i kanë kapur të dëmtuarit në pjesë sipërfaqësore. Pas mjekimit të marrë, të dëmtuarit kanë dalë nga spitalit. Ndërkaq i ndaluari, pas shoqërimit në polici ka pohuar se nuk mbante mend çfarë kishte kryer për shkak të gjendjes së tij. d.b