E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistruesit kërkuan 200 mijë euro

• Biznesmeni i ndërtimit duhej të paguante 50 mijë euro kapar tek tre regjistruesit e arrestuar të Hipotekës në mënyrë që ata të kalonin në emër të tij një sipërfaqe toke në Tiranë.Dashamir BiçakuShuma e parë që duhej paguar ka qenë vetëm një pjesë e ryshfetit prej 200 mijë euro që ndërtuesit i ishte kërkuar të paguante për t’u bërë pronar i tokës në afërsi të ish-parkut të autobusëve në kryeqytet. Sipas hetimeve të policisë dhe Prokurorisë, biznesmeni me origjinë nga Kukësi duhej të kishte paguar 50 mijë euro tek tre regjistruesit Artan Mehmeti, 41 vjeç, Ramiz Hykaj, 42 vjeç dhe Enton Babameto. Sipas hetimeve pagesa e kaparit ishte vendosur të bëhej atë ditë kur policia dhe Prokuroria arrestuan tre zyrtarët e Hipotekës bashkë me dy sekserë dhe një oficer policie. Lajmi konfirmohet për gazetën “Panorama”, nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas tyre shuma e kaparit, nuk është paguar pasi agjentët kanë ndërhyrë duke arrestuar tre zyrtarët e Hipotekës që dyshohet se janë përfshirë në abuzime me tokat dhe në falsifikime të certifikatave të pronësisë. Specialistët e hetimit të zyrës Antikorrupsion në Drejtorinë e Tiranës dhe në Policinë e Shtetit, kanë mundur të zbulojnë aferën edhe pse shuma nuk ishte paguar ende. Biznesmeni nga Kukësi i cili merret me aktivitet ndërtimi prej vitesh në Tiranë, kishte ndërmend të blinte tokën dhe sipas hetimeve, i gjithë abuzimi ka qenë nga ana e zyrtarëve të Hipotekës, të cilët kishin kërkuar në total 200 mijë euro. Burimet e policisë, nuk pranuan të identifikojnë biznesmenin që do të paguante shumën në formë kapari pasi çështja është nën hetim. Ndërtuesi mësohet se kishte kërkuar për të blerë një sipërfaqe trualli për ndërtim. Një pjesë e çmimit do të paguhej në formën e kaparit ndërsa pjesa tjetër e parave do të dorëzoheshin në momentin e marrjes së certifikatës së pronësisë. Pjesa që mbetej mund të paguhej, në objekte të ndërtuara si apartamente, apo dyqane. Në total vlera e truallit, që duhej të merrte për ngritjen e një objekti, kapte shifrën e rreth 200 mijë eurove. Burime të Policisë së Shtetit, pohuan se ndërtuesi është thirrur dhe është pyetur nga hetues të çështjes. Ata kanë marrë prej biznesmenit të dhëna konkrete në lidhje me sipërfaqen e truallit që do të merrej në pronësi, projektin e ndërtimit si dhe të dhëna të tjera. Hetuesit u kanë kushtuar më tepër rëndësi të dhënave për mënyrën e pagesës dhe elementë të tjerë të veprimeve të paligjshme që dyshohet se janë kryer nga të arrestuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›