E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, vëzhgimi: Dy të moshuar mbahen në polici padrejtësisht

• TIRANE – Të paraburgosurit mbahen në kundërshtim me ligjin në dhomat e ndalimit dhe shoqërimit të policisë së Vlorës.Lajmi vjen nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Tiranë, një grup i të cilit ka monitoruar më datë 27 shkurt situatën e respektimit të të drejtave të njeriut në dhomat e ndalimit dhe të shoqërimit në komisariatin e Vlorës. Gjatë vëzhgimit ka rezultuar se 7 persona, ndaj të cilëve gjykata kishte caktuar masën “arrest në burg”, vazhdonin të mbaheshin në qelitë e policisë 5 deri në 15 ditë nga arrestimi. Dh.J., i dënuar në mungesë nga Gjykata e Vlorës, megjithëse duhej dërguar në burg, vazhdonte të mbahej në polici. KSHH pohoi se ligji përcakton se edhe pse arrestimi i të moshuarve duhet të jetë rast përjashtimor, grupi monitorues ka konstatuar se në qelitë e komisariatit gjendeshin dy të moshuar, H.Sh dhe M.Ç., përkatësisht 72 dhe 84 vjeç, të sëmurë dhe që kishin nevojë për trajtim mjekësor të veçantë. Mbajtja e tyre ishte tej afateve dhe në shkelje të rëndë të ligjit. Më tej, KSHH ka konstatuar se gjendja e dhomave të ndalimit dhe shoqërimit në polici në Vlorë ishte mjaft e rëndë. Në to mungonin totalisht pajisjet. Ndonëse ato funksionojnë për mbajtjen në një kohë shumë të shkurtër të personave që shoqërohen e ndalohen nga policia, përdorimi i tyre për të paraburgosur kishte sjellë mbipopullim, strese dhe pakënaqësi. Në to nuk krijohej as kushti më minimal, qoftë edhe për të shoqëruarit për verifikim të zakonshëm në polici.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›