Ndoka akuzon Topallin në KQZ,Kosovrasti: Janë sulme të ulëta
Ankimi i Partisë Demokristiane në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka shkaktuar debate mes përfaqësuesve të kësaj force dhe Partisë Demokratike. Gjatë mbrojtjes së ankimimit të PDK-së, kryetari i kësaj partie, Nard Ndoka akuzoi nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli për prishjen e procesit të Qarkun e Shkodrës. Sipas tij: “Në disa komuna rezulton se kanë votuar më shumë se 100% e zgjedhësve. Në disa raste PD-ja ka blerë edhe komisionerët e PS-së. Shumica e votave të pavlefshme ishin pikërisht të PDK-së, të cilat ose prisheshin ose kalonin për PD-në apo për ndonjë parti tjetër. Të gjithë këtë e ka bërë me urdhër merimanga e zezë që ishte në Shkodër. KQZ-ja ka marrë urdhra politikë, por të paktën hapni vetëm një qendër votimi për të parë se çfarë ka ndodhur realisht në Shkodër”. Por akuzave të kreut të PDK-së, i është përgjigjur përfaqësuesi i PD-së në komision, Njazi Kosovrasti. “Sulmet ndaj drejtuesve të PD-së janë të pavenda dhe të dënueshme dhe kjo bëhet për të hedhur baltë mbi një proces zgjedhor kaq të mirë të zhvilluar në Shqipëri. Nuk lejoj që sulme të tilla të bëhen në KQZ, bëjini ku të doni, por këtu jo”, i është përgjigjur Kosovrasti kreut të PDK-së, Ndoka. Por për shkak edhe të faktit se dy përfaqësuesit e partive kanë qenë pranë njëri-tjetrit, Ndoka ka tentuar t’i heqë mikrofonin Kosovrastit, duke iu drejtuar me fjalët: “A e mbarove detyrën e partisë? Mos na provo se ke çerek ore që e bën”. Por i menjëhershëm ka qenë edhe përgjigjja e përfaqësuesit të PD-së. “E kam marrë vetë këtë detyrë, mos tentoni më këtu”.