E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ rrëzon kërkesat e PS për rinumërim,Uidhers: Procesi të jetë ligjor dhe jo i politizuar

 

adi shkembi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi poshtë kërkesën e PS-së dhe PDK-së për rinumërim dhe rivlerësim të votave në pesë KZAZ-të e Qarkut të Shkodrës. Kjo është kërkesa e tretë e PS-së pas Beratit dhe Tiranës që rrëzohen dhe tani hallka e fundit ligjore është pikërisht Kolegji Zgjedhor. Nga ana tjetër selia rozë ka theksuar se nëse nuk merr mandatin e Beratit dhe Tiranës nuk do të njohë zgjedhjet e 28 qershorit. Pas rreth shtatë orë debat, anëtarët e djathtë në KQZ votuan kundër dy kërkesave të këtyre forcave politike, duke e argumentuar këtë me faktin se nuk janë të mbështetura në ligj. Pro dy kërkesave votuan dy anëtarët e PS-së në komision, Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj.
Debati
Fillimisht PDK-ja dhe më pas PS-ja kërkuan para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në të pesë KZAZ-të e qarkut me 11 deputetë. Kërkesa e PDK-së, pjesë e koalicionit “Poli i Lirisë” u argumentua me faktin se komisionerët e saj nuk ishin lejuar të ndiqnin nga afër procesin e numërimit si dhe gjatë gjithë procesit zgjedhor janë kërcënuar dhe janë shoqëruar në polici. Në të njëjtën kohë PDK pretendoi se në KZAZ-në 44, e cila ndodhet në Bashkinë Koplik, disa persona kanë votuar nga disa herë. Në të njëjtën kohë edhe përfaqësuesit e PS-së kërkuan rinumërim dhe rivlerësim të votave në të gjithë qarkun. “Ne kërkojmë rinumërim dhe rivlerësim në KZAZ-të 40, 41, 42, 43 dhe 44. Ne gjykojmë që numërimi dhe vlerësimi i votave ka qenë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Nga grupet e numërimit dhe KZAZ-të janë kryer shkelje të ligjit. Në KZAZ-të 40 dhe 42, në shumë kuti fletët e vlefshme nuk janë të së njëjtës madhësi. Gjithashtu, në KZAZ-të 40, 42 dhe 44 mungojnë vulat gjatë ditës së votimit. Madje, në KZAZ-në 42 në qendrën e votimit 0186 PS del me zero vota dhe në qendrën e votimit 0046 PS del me 1 votë”, tha gjatë mbledhjes përfaqësuesi i PS-së, Ilirian Saliani. Pas paraqitjes së kërkesave, anëtarët e komisionit debatuan lidhur me mënyrën e zhvillimit të mbledhjes. Si pasojë e debateve dy përfaqësuesit e PS-së, Subashi e Lazaj u larguan për disa momente nga mbledhja, për t’u rikthyer më pas ku kërkuan në mbështetje të nenit 138 pika 3 (sipas së cilës nëse dy anëtarë të komisionit kërkojnë rinumërim dhe rivlerësim votash, kjo është e detyrueshme), rinumërim e rivlerësim në gjithë qarkun. “Në bazë të Kodit unë dhe zoti Lazaj kërkojmë rinumërim dhe rivlerësim të votave të caktuara. KQZ është e detyruar t’i rinumërojë ose t’i rivlerësojë”, theksoi Subashi. Por sipas kryetarit Ristani: “Kërkesa e dy anëtarëve bëhet për këqyrjen e votave për vota të caktuara. Rinumërimi për gjithë qarkun nuk është kompetencë e KQZ-së, prandaj duhet rrëzuar”. Komisionerët e djathtë theksuan se rinumërim ose rivlerësim bëhet kur ka indice për parregullsi në ato zona të pretenduara. Kërkesa e Subashit u rrëzua me 4 vota kundër. Ndërkohë, në mbledhjen e pasdites, pas një pushimi prej tre orësh në drekë, u hodhën në votim dy kërkesat e PDK-së dhe PS-së, të cilat u rrëzuan nga katër anëtarët e djathtë në komision. Pro tyre votuan vetëm Subashi dhe Lazaj, ndërkohë që Pandeli Varfi i PSD-së nuk ishte i pranishëm.

Qarku Shkodër

Rezultati i përgjithshëm përfshi edhe QV 0211 që u numërua dje

Aleanca e Ndryshimit
Aleanca Demokratike            373
Bashkimi Liberal Demokrat            118
Lidhja Demokristiane            2,739
Partia Agrare Ambientaliste        2,919
Partia A. e Maqedonasve            21
Partia A. Dem. e Solidaritet         330
Partia Balli Kombëtar            666
Partia Balli Komb. Demokrat        270
Partia Dem. e Re Europiane        135
Partia Demokratike            56,515
Partia e të D. të Mohuara             68
Partia Forca Albania            19
Partia Lëvizja e Legalitetit             266
Partia Ora e Shqipërisë            202
Partia për Drejtësi dhe Int.         53
Partia Republikane            2,962   
SHUMA                    67,656   
           
Aleanca Poli i Lirisë       
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar        489
Partia Bashkimi Dem. Shqiptar        52
Partia Demokristiane            3,337
Partia e Ref. Dem. Shqiptare        46   
Partia Konservatore Shqiptare        66
Partia Rruga e Lirisë            28
SHUMA                    4,018

Aleanca Socialiste për Integrim       
Lëvizja për të Drej. e Liritë e Nje.         62
Lëvizja Socialiste për Integrim        2,813
Partia e Gjelbër                13
Partia për Mb. e të Dre. të Emig.         22
Partia Socialiste e Vërtetë 91        453
Partia Toleranca e Re e Shqip.        11
SHUMA                    3,374

Bashkimi për Ndryshim       
Bashkimi për të Drejtat e Njeriut         1,251
Partia Demokracia Sociale            2,317
Partia G 99                564
Partia Socialdemokrate            2,538
Partia Socialiste e Shqipërisë        34,294
SHUMA                    40,964   
       
Partia Ligj dhe Drejtësi            415

Uidhers: Rinumërimi, të zbatohet Kodi

Aristir Lumezi

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, i ka kujtuar dje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mbështesë çdo vendim të tij në Kodin Zgjedhor.
Duke komentuar vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos pranuar rinumërimin e votave të Tiranës dhe Beratit, pasi kishte bërë më parë këtë me 8 kuti në qarkun e Fierit, ambasadori amerikan në Tiranë kërkoi më shumë transparencë dhe bazë ligjore. “Është me rëndësi jetike që çdo fazë e procesit zgjedhor të jetë në përputhje absolute me Kodin zgjedhor, përfshi këtu edhe çështjen e rinumërimit të votave”, u shpreh dje Uidhers i pyetur nga Top Channel. Sipas një prononcimi dhënë këtij televizioni, ambasadori amerikan mësohet të ketë thënë se, “ashtu siç e kam theksuar më parë, është e domosdoshme që të gjitha aspektet e procesit të jenë transparente, që procesi të vazhdojë në mënyrë profesionale, të mos jetë i politizuar dhe që të jetë gjithmonë nën sundimin e ligjit”. Reagimi i ambasadorit amerikan për rinumërimin e votave, si pjesë e procesit final, vjen një ditë pasi KQZ-ja refuzoi të zbatojë një klauzolë të ligjit për rinumërim votash në qarkun e Tiranës, pas kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së. Ky vendim u konsiderua i paligjshëm nga Partia Socialiste. Ambasadori amerikan në Tiranë ka qenë mjaft aktiv para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor në Shqipëri. Ai ka shfrytëzuar të gjitha daljet e tij publike për t’i dhënë mesazhe politike aktorëve politikë dhe institucioneve të vendit, që të ndikojnë pozitivisht në arritjen e standardeve të larta në këto zgjedhje. Madje, ai ka qenë prezent dhe në momente të “nxehta” të administrimit të votës, si ai i pak ditëve më parë në KQZ, vetëm pak orë para nisjes së shqyrtimit të nëntë kutive të Fierit. Nga kjo çështje varej dhe mandati i nëntë për socialistët në qarkun e Fierit, ndërsa PS-ja kishte vënë kusht marrjen e këtij mandati për të njohur zgjedhjet e 28 qershorit. Para se të zhvillohej mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ambasadori amerikan Xhon Uidhers ka zhvilluar një takim me kreun e KQZ-së, Arben Ristani. Asnjëra nga palët nuk bëri deklarata për median pas takimit, ndërsa nga burime jozyrtare është mësuar se ambasadori i SHBA-së u interesua për ecurinë e procesit të administrimit dhe shpalljes së rezultatit dhe trajtimin e ankimimeve nga forcat politike. Pas këtij takimi, klima në KQZ ishte larg përplasjeve dhe tensioneve mes palëve politike të këtij institucioni, ndërsa u vendos numërimi i nëntë kutive të Fierit, që sollën dhe mandatin e nëntë për PS-në në këtë qark.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›