E Diel, 1 Nëntor 2026

Çdo popull ka qeverinë që e meriton



Nga Zamira Çavo

Titulli i shkrimit besoj është i njohur për të gjithë, pasi është një konkluzion që buron nga historia dhe përvojat shumëshekullore të njerëzimit. Ti gjesh vend kësaj thënie në kohë të vështira nuk përbën ndonjë gjë të veçantë. Madje askush nuk përpiqet të gjejë domethënien e saj edhe në këto ditë gërdecare. Mjafton të dëgjosh një ditë telefonatat e qytetarëve, në një emision televiziv të mëngjesit, që të bindesh se shqiptarët kanë humbur jo vetëm besimin, jo vetëm shpresën, por tashmë dhe mendjen. Dikush fajëson qeverinë për tragjedinë, dikush Enverin, dikush Nanon e dikush opozitën në përgjithësi. Dikush kërkon dorëheqjen e qeverisë, dikush pretendon se “Saliu është njeriu më i ndershëm dhe familjari më i mirë”, dikush kërkon që të dënohet Meta…. Dhe ky dikushi, është qytetari i vendit tim, që ka humbur mendjen, por që kërkon të “japë mend”, sepse nuk di të gjejë më rrugën e arsyes. Çfarë po ndodh në realitetin shqiptar? Është pak të thuhet se ka humbur shpresa, (zakonisht, thuhet se ajo humb e fundit). Ka humbur mendja dhe besoj kjo është më e rrezikshme se çdo tragjedi. Shqiptari endet në errësirën e mendjes së vet, si ai i çmenduri, që është herë i lumtur me tragjedinë e tij dhe herë i mërzitur me qetësinë e tij, por gjithnjë jashtë realitetit që ekziston. Qytetari i vendit tim, është “lodhur” shumë shpejt nga demokracia pa e njohur mirë se ç’është vërtetë ajo!
Ai, nuk po gjen dot më orientimin e vet. Politika e 18 viteve , politikë humbamendëse, ka bërë punën e vet. Njeriu i gjorë nuk di kujt ti drejtohet për ndihmë e kujt ti shpreh mendimin e vet. Ai është i çoroditur , nuk di kujt t’ia besoje jetën e tij dhe të familjes së tij. Gjithçka shkon në të kundërtën e besimit.
Dhe unë si qytetare pyes: ç’më duhet shteti nëse ai nuk arrin të mbrojë më së paku jetën time? Po le të arsyetojmë pak.
U desh një tragjedi e tillë si e Gërdecit, që të dilnin në sipërfaqe një varg shpërdorimesh, një varg abuzimesh, dhe një mosfunksionim i një sistemi të tërë hallkash të atij që quhet shtet! Po mos duhet të presim tragjedi të tjera që të shikojmë se si nuk funksionon shteti? Presidenti mbledh Këshillin e Sigurimit dhe bën show, duke na treguar ne se “… përgjegjësit kanë emra…” po kush duhet ti dijë emrat nëse nuk i di Presidenti? Sigurisht qe nuk i di, sepse ai vetë është pjesë e kësaj tragjedie, që kur ka mbrojtur në Parlament Ligjin që “ligjëroi” fatkeqësinë, por atëherë ishte kryetar i Grupit Parlamentar të PD!! Ai, pra Kreu i Shtetit, “nuk di “, Kryeministri “nuk di”, “shteti nuk di”. Po qytetari? Qytetari ka humbur mendjen. Ai nuk di kujt ti besojë dhe për cfarë të besojë. Prandaj dhe jemi këtu ku jemi.
Opozita bën “politikë” duke munduar të jetë sa më e respektueshme në lojën e saj politike. Ajo kërkon rregull demokratik në një vend ku vetëm këto rregulla nuk zbatohen. Nuk e di nëse është politikë kjo që bën opozita! Dy mundësi ka; ose opozita nuk do të zbardhet e vërteta pasi “të vërteta të tjera” mund të zbardhen nga një hetim tërësor i strukturave të shtetit, ose… opozita nuk është në gjendje të bëjë politikë. Në të dy rastet ajo është e dështuar. Prandaj dhe qytetari, gradualisht, nuk do ti bindet më thirrjeve të saj. Opozita sot, vetëm e tillë nuk mund të quhet! Dikush mund të më quaj radikale në atë ç’ka them. Por unë jam e bindur se vetëm me radikalizëm mund dhe duhet të ndryshohet shteti . Nuk kam besim te Prokuroria dhe pse e di mirë se në demokraci kështu duhet të funksionojë. Por, Prokurorja ashtu si dhe Presidenti nga ajo varet, janë pjella të paligjshmërisë dhe jo të demokracisë. Kështu shkon zinxhir shkaku i fatkeqësive të këtij vendi. Por tani mendoj se zinxhiri është lidhur kaq shumë komb sa nuk ka asnjë mundësi që të zgjidhet. Në këto raste, prerja është zgjidhja më e mirë. Po kush “ta presë” nyjën? Dhe këtu hyjmë në rrethin vicioz sepse njerëzit kane humbur mendjen, janë tjetërsuar dhe kanë shkuar deri në idenë e zjarrit ” larg vetes sime” .Ose dhe më tej ,në shprehjen e dëgjuar shpeshtazi këto ditë të zymta, se “populli ynë është një popull fatalist”. Ky fat na ra , mund të thuhet në këto raste, por në çdo rast ndihma nuk vjen nga Zoti, por nga njerëzit e Tokës. Nëse këta njerëz kanë humbur mendjen nuk është faji më faji i shtetit. Kështu nuk do të jetë e largët dita që të gjithë, e secili, ta ndjejë që toka I digjet poshtë këmbëve. Shpresoj shumë që Vlora, ta ketë kuptuar të vërtetën, por mbi të gjitha shpresoj shumë tek një shtresë e njerëzve krijues, që në profesionet e tyre, në bizneset e tyre, në edukimin e tyre kërkojnë të renë, ndryshimin. Kjo shtresë mundet të realizojë ndryshimin. Kjo duhet nxitur nga të gjithë sepse koha nuk pret dhe Bota të mos na kujtojë atë shprehjen se “çdo popull ka qeverinë që meriton”.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›