E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niazi Jaho: “Gërdeci, pasoja të rënda nga moszbatimi i ligjit”

Tragjedia mund të parandalohej, nëse gjithkush do të përmbushte detyrat kushtetuese. “Qeveria duhej të kishte krijuar Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve”

Njohësi i ligjeve, konstuticionalisti Niazi Jaho është shprehur në një intervistë për gazetën “Albania” për përgjegjësitë që kanë institucionet në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Sipas profesor Jahos, tragjedia nuk mund të kishte ndodhur nëse gjithkush përmbushte detyrat kushtetuese, apo po të ishte krijuar Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve.
Parlamenti ka miratuar strategjinë ushtarake të vendit tonë. Do të dëshironim të dinim detyrat që ka Qeveria, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë lidhur me zbatimin e kësaj strategjie?
Në muajin Dhjetor 2007, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë. Në këtë ligj thuhet se Këshilli i Ministrave si organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv përgjigjet për zbatimin e strategjive të sigurimit kombëtar dhe gjendjen e zhvillimin e instrumenteve të sigurisë dhe të burimeve të mbrojtjes. Kryeministri, i cili është funksionari më i lartë i pushtetit ekzekutiv, përgjigjet para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e forcave të armatosura në kohë paqeje. Përmbajtja e kësaj dispozite është në përputhje me nenin 169 të Kushtetutës, ku thuhet se Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes. Përsa i përket Ministrit të Mbrojtjes, sipas ligjit, ai përgjigjet para Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit për formulimin dhe zbatimin e politikave të mbrojtjes. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, thuhet në ligjin e mësipërm, “se është autoriteti ushtarak më i lartë. Ai është përgjegjës para Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, për zbatimin e strategjisë ushtarake”.
Fill mbas ngjarjes së Gërdecit, Kryeministri u shpreh se detyra e Ministrisë së Mbrojtjes ishte vetëm ajo e transportit të materialeve ushtarake, predhave apo fishekëve. Çfarë thuhet në ligj për këtë?
Në Mars të vitit 2007, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Në pjesën IV, pika 4 e këtij vendimi thuhet shprehimisht se: “Procesi i çmilitarizimit të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të Forcave të Armatosura”, madje jo vetëm kaq. Në të njëjtën dispozitë, Forcat e Armatosura ngarkohen edhe me detyrën e regjistrimit me hollësi të të dhënave për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të çmontuara e të çmilitarizuara si dhe të produkteve të tyre, pas çmontimit dhe çmilitarizimit.
Në vendimin e mësipërm të qeverisë, me çfarë detyre ngarkohet ndërmarrja MEICO?
Ajo ngarkohet me detyrën e shitjes së armëve, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive duke zbatuar çmimet përkatëse. Blerësi duhet të jetë i licencuar në këtë fushë. Procedurat e çmilitarizimit përcaktohen me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes dhe udhëzim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Mbas ngjarjes së Gërdecit është thënë se në një ligj të miratuar nga Parlamenti parashikohej ngritja e një agjencie të kontrollit shtetëror mbi eksportet dhe importet e mallrave ushtarakë, por kjo agjenci nuk është ngritur. Çfarë thuhet në ligj për këtë?
Kuvendi i Shqipërisë në 5 Prill të vitit 2007 ka miratuar ligjin “Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarakë dhe mallrave teknologjike me përdorim të dyfishtë”. Në nenin 9 të këtij ligji thuhet se: “Në Ministrinë e Mbrojtjes funksionon Agjencia e Kontrollit të eksport-importeve të mallrave ushtarakë, mallrave e teknologjisë me përdorim të dyfishtë (që në këtë ligj do të quhet Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve)”.
Si zgjidhet ose kush e cakton këtë organ?
Po sipas nenit 9 të ligjit, Këshilli i Ministrave me vendim përcakton organizimin, përbërjen, funksionimin dhe statutin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe procedurën e marrjes të miratimit të institucioneve të interesuara. Vlen të përmendet se veprimtaria tregtare me të huajt kryhet në bazë të licencave dhe të autorizimeve të lëshuara nga ky autoritet, pas marrjes së mendimit të institucioneve të interesuara. Licenca, siç thuhet në pikën 17 të nenit 2 të ligjit, është dokumenti ligjor i lëshuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me anën e të cilit i lejohet një subjekti të kryejë transferime ndërkombëtare të mallrave.
Sipas ligjit, kur duhej ngritur ky autoritet?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet ti referohemi 2 neneve të këtij ligji: nenit 39 ku thuhet se: “Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji të nxjerrë aktin nënligjor për krijimin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve”, dhe nenit 41 ku thuhet se: “Ky ligj hyn në fuqi më 1 Qershor 2007”.
Nga kjo del se akti nënligjor i Këshillit të Ministrave për krijimin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, duhet të ishte miratuar brenda datës 1 Dhjetor 2007”.
Shqipëria ka aderuar në Protokollin kundër prodhimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të zjarrit, që plotëson Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Në shtypin tonë, ditët e fundit janë botuar disa të dhëna që flasin për shkelje të kësaj Konvente. A keni ndonjë mendim për këtë?
Në Dhjetor 2007, Kuvendi ka vendosur aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin kundër prodhimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të zjarrit, pjesëve të tyre, komponentëve dhe municioneve, që plotëson Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar. Nuk di nëse në këtë drejtim ka patur ose jo shkelje. Të dhënat e shtypit mendoj se duhen verifikuar dhe kur është rasti duhen pranuar (tërësisht apo pjesërisht), ose duhen përgënjeshtruar. Kjo është detyrë e organeve kompetente.
Sipas këtij Protokolli, me shprehjen “Trafikim i Paligjshëm”, nënkuptohet importimi, eksportimi, përvetësimi, shitja, shpërndarja ose zhvendosja e armëve të zjarrit, pjesëve të tyre, komponentëve dhe municioneve nga, ose përmes territorit të një shteti palë drejt një shteti tjetër anëtarë, nëse një nga shtetet anëtare në fjalë nuk e autorizon një veprim të tillë sipas kushteve të këtij protokolli, ose nëse armët e zjarrit nuk etiketohen sipas nenit 8 të këtij protokolli.
Sipas jush, ngjarja e Gërdecit a mund të parandalohej?
Kam mendimin se tragjedia e Gërdecit mund dhe duhej parandaluar.
Ku e mbështesni këtë mendim?
E mbështes në argumentet e mëposhtme: Së pari, nuk u zbatua me rigorozitet legjislacioni në fuqi. Së dyti nuk u ushtrua kontroll mbi zbatimin e këtij legjislacioni. Së treti, vendi i caktuar për grumbullimin e materialit luftarak dhe çmontimin e tij ishte krejt i papërshtatshëm dhe me riskun e pasojave të rënda që mund të vinin. Së katërti, në procesin e çmontimit u angazhuan persona të pakualifikuar, midis tyre gra dhe fëmijë. Qoftë edhe vetëm kjo e dhënë, i bën evidente pasojat e dëmshme.
Është thënë se tragjedia ndodhi për shkak të mungesës së reformave. A është kështu?
Mendoj se jo. Pa nënvlerësuar aspak rëndësinë e reformave si dhe faktin se është e nevojshme plotësimi, thellimi dhe përsosja e mëtejshme e tyre, në rastin konkret, faktorët që kushtëzuan tragjedinë e Gërdecit mendoj se janë ato që përmendëm më lart. Procesi i reformave është relativisht i gjatë dhe kompleks.
Në këtë vështrim është vështirë të përcaktohet koha apo momenti i përfundimit të kësaj apo asaj reforme. Mendoj se nuk do të gabonim po të shpreheshim se procesi i plotësimit apo i përsosjes së reformave është i pambarimtë. Natyrisht kur ndodh një ngjarje e tillë është e domosdoshme të nxirren konkluzionet përkatëse dhe të merren masat e nevojshme për parandalimin e së keqes.
Ju thatë se në këtë rast nuk është zbatuar legjislacioni në fuqi, nuk është ushtruar kontroll mbi zbatimin e tij. Meqë dëmi është shumë i madh, a nuk duhet që fajtorët të vihen përpara përgjegjësisë ligjore?
Nëse është fjala për përgjegjësi penale këtë e vendos organi kompetent (Prokuroria). Hetimi i plotë, i gjithanshëm dhe objektiv do të bëjë të mundur vënien para përgjegjësisë penale të personave që në mënyrë direkte apo indirekte shkaktuan ose toleruan këtë tragjedi. Kuptohet, përgjegjësia morale apo administrative është një natyrë tjetër.

Intervistoi L. Londi

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›