Ndoka, vizitë në SHBA
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, zhvilloi ditët e fundit një vizitë disaditore në SHBA, ku pati takime të rëndësishme me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju Jork.
Në një takim të organizuar në Nju Jork, ku merrnin pjesë edhe zyrtarë të lartë të Bashkisë së Nju Jorkut, Ndoka shprehu mirënjohjen e tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e reformave dhe të demokracisë, të cilat sollën dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ndoka shprehu një mirënjohje të veçantë për presidentët e SHBA-ve, Klinton dhe Bush, për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës dhe pavarësisë së saj.
Në fjalën e tij Ndoka i informoi të pranishmit për aktivitetin politik të Partisë Demokristiane si një nga forcat më progresive dhe me rritje më të shpejtë në spektrin politik shqiptar. Ai theksoi, se pavarësisht përpjekjeve për të kufizuar pluralizmin politik dhe konkurrencën e alternativave politike, nga dy partitë e vjetra, PD dhe PS, Partia Demokristiane do të dëshmohet në këto zgjedhje si një faktor i rëndësishëm dhe përcaktues politik i qendrës së djathtë. Në këtë takim Ndoka prezantoi edhe kandidatin e Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe, të Qarkut Shkodër, Mark Lumaj, i cili është gjithashtu edhe përfaqësues i diasporës shqiptare në SHBA. Të pranishmit në sallë vlerësuan zgjedhjen e kandidatit për deputet nga diaspora shqiptare dhe garantuan mbështetje të plotë për kandidatin e përzgjedhur nga Partia Demokristiane.
7 Prill 2009