Opozita: Qeveria të përmbushë standardet e kërkuara nga NATO-ja për zgjedhjet e qershorit
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare, kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbushjes së standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët për zgjedhjet e qershorit. Në emër të PS-së, kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh se sfida e parë e përgjegjësive që rrjedhin nga NATO-ja janë zgjedhjet e qershorit. Sipas saj, qeveria duhet t’u sigurojë të gjithëve të drejtën e votës duke i dhënë falas kartat e identitetit.
“Një vend anëtar i NATO-s nuk mund të neglizhojë standardin e një demokracie funksionale, që janë standardi i zgjedhjeve të lira. Për të garantuar këtë standard nuk shërbejnë sloganet e kryeministrit në mitingje dhe ahengjet që bëjmë në Parlament. Çështja e kartave të identitetit mbetet vija ndarëse nëse kjo qeveri ka vullnet ose jo për të bërë zgjedhje të lira. Pagesa e kartës është taksim i votës, ndërkohë që bota ka kohë që e ka hequr taksën e votës. Ju thoni se keni bërë ulje për kategori të veçanta, por ata duhet të bëjnë parapagim dhe këtu qëndron problemi, pasi ata nuk i kanë paratë. Por problem është dhe kredibiliteti i procesit të rimbursimit. Më thoni sa janë rimbursuar për energjinë e elektrike?” - është shprehur Leskaj. Ajo e cilësoi problem dhe detyrën e fundit që i është dhënë policisë për të verifikuar emigrantët që do të votojnë.
Ndërsa nga maxhoranca reagoi kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili u shpreh se PS-ja po humbet pikë me vajtimin e saj për zgjedhjet. “Është fatkeqësi e madhe që një kryetar partie hallin e tij kërkon ta shndërrojë në hallin e gjithë shqiptarëve. Humbja e një kryetari apo e një partie nuk mund të jetë problem i Shqipërisë. Vetëm një kryetar i papërgjegjshëm mundet ta çojë partinë në vajtim në zgjedhje. Ne jemi për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por nuk mund të garantojmë se shqiptarët do të votojnë për PS-në”, - është shprehur Patozi. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Topalli, shprehu keqardhjen që PS-ja nuk iu bashkua festës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Shpreh keqardhjen që një pjesë nga ju nuk iu bashkua festës. Kurrë më parë nuk kishte festuar si dje sheshi ‘Skënderbej’. Ftesa keni pasur të gjithë”, - është shprehur Topalli.
7 Prill 2009